Teksa deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke mos lejuar raportimin e Avokatit të Popullit, Endri Shabani, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi ndërprerjen e seancës plenare.
Balla propozoi që raportimi i drejtuesve të institucioneve të pavarura të shtyhej për seancën e ardhshme, duke ruajtur të njëjtin rend raportimi.
"Pesë institucionet që janë sot të programuara për të raportuar në seancë, të ruhen për seancën e ardhshme. Propozoj që rezolutat për KLP-në, KLSH-në, KLGJ-në, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK-un, ILD-në dhe Avokatin e Popullit të kalojnë në seancën pasardhëse.
Kjo ishte konceptuar dhe u kërkua prej meje, si kryetar i grupit, që të ishte një seancë e posaçme raportimesh, por kjo nuk u arrit. Kërkoj që, pasi të dëgjohet një folës pro dhe një kundër, propozimi im të hidhet në votim.", tha ai.
Pas kërkesës së Ballës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e hodhi propozimin në votim, i cili u miratua, duke çuar në mbylljen e seancës plenare.
Si pasojë, drejtuesit e institucioneve të pavarura do të raportojnë në seancën e radhës, e cila do të zhvillohet më 23 korrik.
