Prestigjozja britanike "The Telegraph" ka raportuar se të burgosurit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar po përdorin telefonatat nga qelitë për të drejtuar aktivitetet e bandave kriminale.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, ata kanë kryer 157,962 telefonata në gjashtë muajt e fundit, që përkthehet në rreth 900 thirrje në ditë.
Shqiptarët janë kombësia më e madhe e huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, me mbi 1,200 të burgosur, kryesisht për vepra penale të drogës dhe vjedhjes.
Ata janë specializuar në kultivimin e kanabisit, duke zëvendësuar vietnamezët si furnizues kryesorë vendas të drogës. Fitimet janë të larta, pasi britanikët konsumojnë rreth 240 ton kanabis në vit, me vlerë 2.4 miliardë £, dhe prodhimi bëhet brenda vendit pa rrezikun e transportit ndërkufitar.
Sipas The Telegraph, numri i telefonatave të shqiptarëve është katër herë më i madh se ai i polakëve dhe rumunëve, kombësitë e tjera më të mëdha në burgjet britanike.
Prof. Ian Acheson e cilësoi këtë shifër si “jashtëzakonisht joproporcionale”, duke u shprehur se thirrjet lidhen me organizimin e marrëveshjeve kriminale. Ish-sekretari i drejtësisë David Lammy paralajmëroi se bosët e bandave po drejtojnë gjithnjë e më shumë perandoritë e tyre nga burgu, madje duke përdorur edhe dronë për futjen e drogës dhe armëve.
Nick Timothy, sekretari i drejtësisë, kërkoi publikimin e plotë të statistikave të krimit sipas kombësisë, duke theksuar se “jo të gjitha kombësitë paraqesin rrezik të barabartë”.
