Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë dy persona, të dyshuar se janë konfliktuar fizikisht me sende të forta me pesë pushues nga Turqia.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë përfunduar shtetasit D. K., 33 vjeç, dhe E. Q., 37 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata ushtronin detyrën e menaxherit dhe punonjësit në hapësirën e plazhit të një subjekti privat.
Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar shtetasit I. Sh., 48 vjeç, dhe T. D., 49 vjeç, banakier dhe punonjës sigurie në të njëjtin subjekt, pasi dyshohet se kanë goditur dhe kanosur tre shtetas turq.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e plazhit në Golem, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
Njoftimi i Policisë:
U konfliktuan fizikisht dhe me sende të forta, me 5 pushues turq, arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë (punonjës në subjektin ku ndodhi konflikti).
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në plazh, në Golem, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve përgjegjës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit D. K., 33 vjeç dhe E. Q., 37 vjeç, të dy banues në Durrës, përkatësisht menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit në këtë subjekt, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetesisë publike”, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, 2 pushues turq;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”, për shtetasit I. Sh., 48 vjeç dhe T. D., 49 vjeç, përkatësisht banakier dhe punonjës sigurie në këtë subjekt, pas dyshohet se kanë goditur dhe kanosur 3 shtetas turq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
