Hapësire reklamuese

Aktualitet

Atentati në Elbasan, dyshohet se objektivi ishte nipi i "Ot Kilës"! Autori i maskuar me paruke dhe maskë silikoni, ja pista kryesore e hetimeve

Shkruar nga Newsbomb
Atentati në Elbasan, dyshohet se objektivi ishte nipi i "Ot
Ot Kila dhe vendngjarja e atentatit

Detaje të reja kanë dalë nga atentati me tre të plagosur, i regjistruar në lagjen “Vullnetari” në Elbasan. Dyshohet se objektivi i sulmit ishte nipi i një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Elbasan, Ot Kilës, i njohur ndryshe si “Oti i Elbasanit”.

Mësohet se nipi i Ot Kilës ndodhej në të njëjtën tavolinë me tre personat që mbetën të plagosur. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Armand Tomorrica, Renaldo Mançe dhe Bjorgi Hoxha nuk kanë konflikte apo precedentë që mund ta lidhnin ngjarjen me ta, çka ka forcuar dyshimet se shënjestra e atentatit ishte pikërisht nipi i Kilës.

Bëhet me dije se autori ka marrë masa për të fshehur identitetin e tij. Në lokalin ku ndodhi ngjarja nuk kishte kamera sigurie, por kamerat e një biznesi pranë vendit të ngjarjes kanë fiksuar autorin në momentin e largimit.

Në pamjet që disponon grupi hetimor shfaqet një person me trup të hollë, i veshur me rroba të zeza, xhup dhe doreza të zeza. Dyshohet se, për të shmangur identifikimin, ai kishte vendosur një maskë silikoni dhe një paruke me flokë të gjata.

Pasi la të plagosur tre persona, mes tyre edhe një kamarier, autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në ndjekje të tij u vu një efektiv policie jashtë shërbimit, i cili ndodhej rastësisht në lokalin ku ndodhi atentati.

Gjatë arratisjes, autori hodhi armën e krimit, e cila është sekuestruar nga policia dhe është dërguar për ekspertim.

Gjithashtu bëhet me dije se ngjarja konsiderohet një atentat i mirëorganizuar, ndërsa pista kryesore e hetimeve mbetet ajo e hakmarrjes mes grupeve kriminale në Elbasan.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese