Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me të shtënat me armë zjarri të ndodhura mbrëmjen e djeshme në verandën e një lokali në lagjen "Vullnetari" në Elbasan, ku mbetën të plagosur tre persona.
Sipas burimeve, objektiv i atentatit dyshohet se kanë qenë Armando Tomorrica dhe Renaldo Mance, ndërsa aksidentalisht ka mbetur i plagosur edhe Biorgi Hoxha, 19 vjeç, kamarier i lokalit.
Burime paraprake bëjnë me dije se autori i dyshuar kishte pasur më herët konflikte me dy personat, e cila dyshohet të ketë qenë edhe motivi i ngjarjes.
Sipas dinamikës së deritanishme të ngjarjes, Tomorrica dhe Mance ndodheshin të ulur në një tavolinë në verandën e lokalit, në shoqërinë e kamarierit Biorgi Hoxha. Në ato momente, autori është afruar në tavolinën e tyre, fillimisht i ka ofenduar verbalisht dhe më pas ka nxjerrë armën e zjarrit, duke qëlluar në drejtim të tyre.
Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat janë sekuestruar nga ekspertët e Policisë Shkencore dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të ndihmuar në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Tre të plagosurit morën ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Më pas ata kanë lënë ambientet e spitalit dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar nuk është arrestuar ende, ndërsa kontrollet dhe hetimet intesive për të po zhvillohen në të gjithë qytetin.

