Ka nisur me tensione protesta e paralajmëruar këtë të enjte para godinës së Parlamentit, ku janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Si pasojë e incidenteve, pesë punonjës policie kanë mbetur të plagosur gjatë ushtrimit të detyrës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë pranë Parlamentit.
Tre efektivë të Komisariatit Nr. 3 dhe dy punonjës të Njësisë Speciale "Shqiponja" janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku kanë marrë mjekim të specializuar. Mes të plagosurve janë Qazim Haxhaj dhe Baki Kullolli, punonjës të Komisariatit Nr. 3, të cilët kanë pësuar dëmtime në kokë, si dhe kolegu i tyre Zaudin Torba, i cili është lënduar në këmbë.
Gjithashtu, gjatë përplasjeve është plagosur edhe shefi i Njësisë "Shqiponja" Durrës, Arjan Cali, i cili ka marrë dëmtime në kokë, ndërsa efektivi i Njësisë "Shqiponja" Tiranë, Kreshnik Aliaj, ka pësuar dëmtim në dorë. Sipas informacioneve paraprake, efektivët janë goditur gjatë përplasjeve me protestuesit, ndërsa situata në zonën përreth Parlamentit ka mbetur e tensionuar edhe pas incidenteve.
