Në fjalën e mbajtur para të vetëve në “Pallatin e Brigadave” kryeministri Edi Rama bëri me dije se ndryshimet e bëra në vitin 2024 për çështjen e zonave të mbrojtura do të skanohet duke nxjerrë kështu në pah se është në përputhshmëri me standartet eurupiane.
“Ndryshimet e vitit 2024 le ta mbajë shënim kush e dëgjon, në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vazhdojnë si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë edhe disa eurodeputetë që në rastin më të mirë nuk e kanë lexuar çfarë kemi ndryshuar, ndërsa në rastin më të keq kanë dashur ta besojnë rolin e viktimave të imperializimit amerikan.
Por e vërteta është se ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën evropiane dhe fatmirësisht nuk është këtu fjala ime kundër fjalës së atyre që mendojnë ndryshe por ka një proces në zbatim të kalendarit të negociatave ku do të skanohen një për një me KE për ta përputhur krejt atë ligj 100 përqind me direktivën e BE edhe ato ndryshime” tha Rama para socialistëve te “Pallati i Brigadave”.
Duke hedhur poshtë pretendimet se ndryshimet e ligjit prekin dhe dëmtojnë zonat e mbrojtura apo speciet e gjalla, siç pretendohet në protestën e cila ka bërë bashkë mijëra qytetarë duke kërkuar mbrojtjen e flamingove të Zvërnecit, Rama shtoi se askush nuk e kishte menduar se në të njëjtin shesh kur dikur vriteshin shpendë, do të flitej për fatin e biodiversitetin të një lagune të vendit
“Tani le të ngrejë dorën një i vetëm këtu në këtë sallë, jashtë mureve të kësaj salle, kudo në Shqipëri apo jashtë kufijve, dhe të thotë po e kisha imagjinuar në kohën e koreve shurdhuese të sharrave elektrike, dhe atyre shkulmuese të çifteve shfarosëse se do të vinte një ditë kur po në të njëjtin bulevard, kur në atë kohë protestuesit vriteshin si shpendët e lagunave nga dritaret e kryeministrisë, do të vërshonte një proteste masive qytetare për fatin e biodiversitetin të një lagune të vendit” shtoi Rama.


