Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë ditën e sotme Grupin Parlamentar dhe kabinetin qeveritar. Mbledhja e zgjeruar do të mbahet në orën 09:30 në Pallatin e Brigadave.
Sipas agjendës, e cila u është shpërndarë deputetëve, fjalën do ta mbajë fillimisht kreu i Kuvendit Niko Peleshi, që do të paraqesë një bilanc mbi drejtimin e Kuvendit, perspektivën e godinës së re së Kuvendit si edhe futjen e teknologjisë në funksionin e institucionit.
Më pas do të jetë Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ai i cili do të bëjë një bilanc të punës gjatë këtij sesioni parlamentar, duke u ndalur tek aktivizimi i deputetëve on dhe offline. Ndërkohë që janë parashikuar jo më shumë se 2 minuta për çdo folës.
Në përfundim do të jetë Kryeministri Edi Rama ai i cili do të mbajë fjalën përmbyllëse të vitit të parë të mandatit të katërt.
Ndërsa kujtojmë se mbrëmjen e djeshme Rama publikoi një pjesë të fjalimit të cilin pritet ta mbajë sot, teksa në videon e publikuar në sfond dëgjohej protesta që po mbahet poshtë zyrës së tij.
"Mbledhja fillon në 09:30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, tha Rama dje.
