Hapësire reklamuese

Politikë

Mbledhja e grupit parlamentar socialist, Peleshi analizon punën e Kuvendit: Integrimi në BE, një proces me kontributin e gjithë spektrit politik

Shkruar nga Newsbomb
Mbledhja e grupit parlamentar socialist, Peleshi analizon punën e Kuvendit:
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi

Niko Peleshi ka qenë i pari që ka marrë fjalën në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Kryetari i Kuvendit i kushtoi një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, procesit të integrimit europian duke e cilësuar legjislaturën aktuale si “legjislatura e integrimit europian” dhe duke theksuar se ky proces ka qenë një përpjekje e përbashkët institucionale.

Nëse do të duhej ta përkufizonim këtë legjislaturë me një fjali të vetme, unë do të thoja se kjo është legjislatura e integrimit europian. Asnjëherë më parë, puna e Kuvendit nuk ka qenë kaq e lidhur me procesin e negociatave”, tha fillimisht ai.

Kryeparlamentari u shpreh se gjatë kësaj periudhe, Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme ka shqyrtuar 94 projektligje, ndërsa 34 prej tyre kanë pasur si objektiv të drejtëpërdrejtë përafrimin e legjislacionit shqiptar me “acquis” të Bashkimit Europian. Peleshi theksoi se Kuvendi ka miratuar pozicionet negociuese të Shqipërisë, ka monitoruar vazhdimisht ecurinë e negociatave dhe ka zhvilluar dhjetëra seanca dëgjimore me ministrat dhe ekipet negociatore.

Gjithashtu një pjesë të veçantë të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit ia kushtoi konsensusit politik për procesin e Integrimit duke nënvizuar faktin se edhe opozuita ka qenë pjesë e angazhimit parlamentar në arenën ndërkombëtare. “Delegacione të përbëra nga i gjithë spektri politik shqiptar kanë vizituar pothuajse gjysmën e parlamenteve të Bashkimit Europioan në 14 vende”, deklaroi ai duke shtuar se këto vizita kanë pasur si objektiv sigurimin e mbështetjes politike për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Po ashtu kryeparlamentari kujtoi se Kuvendi ka miratuar me konsensus edhe Rezolutën për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Ky është një sukses kombëtar i qeverisë shqiptare, i Kuvendit dhe i gjithë shoqërisë shqiptare” u shpreh Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese