Një ngjarje e rëndë ka tronditur Portugalinë, ku një vajzë 18-muajshe ka humbur jetën pasi dyshohet se ka qëndruar për rreth tetë orë brenda një autobusi shkolle të parkuar pranë një qendre kujdesi për fëmijët.
Sipas mediave, vogëlushja Sofia hipi në autobus në orën 08:00 të mëngjesit, por për arsye ende të paqarta nuk u zbrit dhe mbeti e mbyllur brenda automjetit.
Mungesa e saj nuk u vu re gjatë gjithë ditës, derisa nëna mbërriti rreth orës 16:00 për ta marrë. Vetëm atëherë u kuptua se fëmija nuk ndodhej në qendër.
Punonjësit shkuan menjëherë te autobusi, ku e gjetën vajzën pa ndjenja. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, zjarrfikësve dhe ekipeve mjekësore, vogëlushja u shpall e vdekur në vendngjarje.
Policia Gjyqësore Portugeze ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë nga personat përgjegjës për transportin dhe kujdesin e fëmijëve.
