Një incident i ndodhur javën e kaluar gjatë fluturimit nga Selaniku për në Memmingen të Gjermanisë ka tronditur opinionin publik dhe ka lënë pasoja fizike dhe psikologjike te pasagjerët.
Pas ngritjes së avionit të Ryanair FR1879, një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren pranë vendit ku ishte ulur pasagjeri serb 61-vjeçar, Ljubisha Karoviç.
Goditja shkaktoi thyerjen e dritares dhe dekompresim të menjëhershëm, duke bërë që gjysma e trupit të tij të shtyhej jashtë kabinës në një lartësi të konsuderueshme.
Gruaja e tij, Svetlana Grkoviç, reagoi menjëherë duke e tërhequr nga këmbët.
“E kapa nga këmbët. Mendova se nëse do të vdesim, do të vdesim së bashku’”, rrëfeu ajo për mediat serbe.
Për pesë minuta ajo e mbajti me forcë bashkëshortin, derisa pasagjerë të tjerë nxituan ta ndihmonin dhe e tërhoqën brenda, ndërkohë që maskat e oksigjenit kishin rënë.
Karoviç, i cili pësoi djegie në krahun e djathtë dhe shpinë, dëmtime në syrin dhe veshin e djathtë si dhe paralizë të përkohshme, e përshkroi për gazetën gjermane Bild momentin dramatik si një makth që nuk ka fjalë të shpjegohet.
“Rashë në gjumë. U zgjova nga një zhurmë që tingëllonte si shpërthim bombe. Kur rimora vetëdijen, kisha gjak kudo, në fytyrë dhe duar. Është një makth që nuk mund ta shpjegoj me fjalë. Nuk kam përqendrim, nuk funksionoj si më parë. As nuk mendoj të hip më në një avion.”, tha Ljubisha Karoviç.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e incidentit, ndërsa nuk dihet ende nëse Karoviç do të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale apo trajtim afatgjatë.
