Mbi 15 persona janë plagosur nga përplasja e dy tramvajeve ditën e sotme në qendër të Roterdamit, ndërsa një person u dërgua në spital me lëndime të rënda.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa po bëjnë me dije se aksidenti ndodhi rreth orës 11:00 të ditës së sotme, ndërsa Ura Erasmus, ku ndodhi aksidenti i rëndë vijon të mbetet e bllokuar.
Disa persona të lënduar u dërguan në spital ndërsa disa të tjerë, që kishin dëmtime më të lehta morën ndihmën e parë në vendin e ngjarjes.
Pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë momentin e përplasjet ku njëri nga tramvajet godet një tjetër i cili ndodhej i palëvizur në shina.
Kompania e transportit RET, reagoi pas ngjarjes duke thënë se ishin thellësisht të tronditur nga kjo ngjarje dhe se vëmendja e tyre është e përqëndruar plotësisht te personat e dëmtuar, stafi dhe pasagjerët.
“Mendimet tona janë me viktimat dhe pasagjerët që ishin në bord. E gjithë vëmendja jonë është përqendruar te viktimat, stafi i përfshirë dhe pasagjerët”, thuhet në deklaratën e kompanisë, e cila shton se do të bëjë gjithçka për të përcaktuar se si ndodhi aksidenti.
