Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në Lushnjë ku debati mes dy kushërinjve ka agravuar deri në përdorimin e thikës, duke lënë pas një të plagosur.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur dje në lagjen “Loni Dhamo”, ku shtetasi I. Y., 60 vjeç raportohet se ka goditur me mjet prerës kushëririn e tij, F. Y., 71 vjeç.
Për rrjedhojë, i moshuari ka mbetur i plagosur dhe thuhet se 71-vjeçari është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Fatmirësisht bëhet me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë blutë e Lushnjës të cilët kanë bërë të mundur arrestimin e autorit dhe e kanë shoqëruar për në komisariat.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar edhe mjetin prerës (thikën) që dyshohet se është përdorur në konflikt.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Plagosi rëndë me mjet prerës (thikë) kushëririn e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë kapet dhe vihet në pranga autori.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin I. Y., 60 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje".
Ditën e djeshme, në lagjen "Loni Dhamo", Lushnjë, ky shtetas dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) kushëririn e tij, shtetasin F. Y., 71 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, 71-vjeçari u transportua në spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, si dhe sekuestrimi i mjetit prerës (thikë) të përdorur gjatë ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
