Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me operacionin e përbashkët të SPAK, AMP-së dhe Policisë së Shtetit. Burime për mediat bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni i cili është shtrirë në disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Kukësin, Fierin, Vlorën, Gjirokastrën dhe Sarandën, janë goditur disa grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës.
Gjatë operacionit të SPAK, AMP-së dhe Policisë janë lëshuar 10 masa sigurie të firmosura nga GJKKO, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.
Mësohet se 4 masa të sigurisë janë për oficerë të policisë. Deri më tani janë ekzekutuar tre masa, ndërkohë që një tjetër nga radhët e bluve është shpallur në kërkim.
Një prej të arrestuarve është shefi i Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruska, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.
Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj, mbi të cilin rëndojnë të njëjtat akuza si dhe kolegu Ruska. Ndërkohë, një tjetër akuzë e cila rëndon mbi Alisinanajn është dhe ajo e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.
Ndërkohë, personi tjetër mbi të cilin ka pasur urdhër arrest është Erdit Hazizaj. Sipas informacioneve paraprake ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike dhe përfshirje në grupe kriminale dhe është shpallur në kërkim.
Sakaq, në kërkim është shpallur edhe Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi. Ai akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, burime për Newsbomb.al bëjnë me dije se masa sigurie “arrest me burg” janë kërkuar edhe për 5 shtetas nga Saranda. Lidhur me këtë mega operacion të SPAK, AMP-së dhe Policisë së Shtetit nuk ka një informacion zyrtar. Ndërkohë, ajo që dihet në rrugë jo zyrtare është fakti se këto hetime kanë nisur prej kohësh, pasi falë zbërthimit të aplikacionit “Sky Ecc”, janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale.

