Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen "Erdogan" në Laç, ku mbeti i vrarë Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure.
Sipas burimeve hetimore, 40-vjeçari është zënë në pritë në momentin kur kishte parkuar automjetin dhe po hynte në pallatin ku jetonte. Në ato çaste, autori i dyshuar ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e detyruar viktimën të tentonte të largohej për t'i shpëtuar breshërisë së plumbave.
Megjithatë, përpjekja e tij për të shpëtuar ka zgjatur vetëm pak çaste. Autorët e kanë ndjekur nga pas dhe kanë qëlluar sërish në drejtim të tij pranë hyrjes së godinës. Plumbat rezultuan fatalë për 40-vjeçarin, ndërsa njëri prej tyre e goditi në pjesën e qafës, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Nga të dhënat paraprake mësohet se Ilir Gjini është goditur me shtatë plumba. Edhe pse u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, ai nuk arriti t'u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar të vrasjes Emiljano Sutin, i cili është shpallur në kërkim. Sipas hetimeve paraprake, autori dhe viktima banonin në të njëjtën lagje në Laç.
"Si rezultat i hetimeve intensive dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë, menjëherë pas vrasjes me armë zjarri të shtetasit I. Gj., alias I. L., alias I. K., alias I. N., rreth orës 22:10 të datës 09.07.2026, në Kurbin, u bë i mundur identifikimi i autorit kryesor të dyshuar të këtij krimi. Konkretisht, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç", thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari ishte dënuar më parë me 5 vjet burgim për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës", si dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.
"Për kapjen e 40-vjeçarit, në ndihmë të Policisë vendore janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet vijojnë intensivisht. Ndërkaq, hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Materialet procedurale do t'i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton Policia më tej.
Sakaq theksojmë se Ilir Gjini ishte me origjinë nga Miloti, ndërsa prej vitesh jetonte në Laç. E kaluara e tij po verifikohet nga grupi hetimor, ndërsa një nga pistat kryesore lidhet me qëndrimin e tij jashtë vendit.
Ndërkohë, hetuesit vijojnë punën për të zbardhur plotësisht dinamikën e atentatit, për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në ngjarje si dhe për të zbardhur shkakun që solli këtë tragjedi.
