Emiljan Suti, i njohur edhe me emrin Artur Suti, është shpallur në kërkim nga Policia si autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçarit Ilir Gjini, ngjarje që tronditi mbrëmjen e së enjtes qytetin e Laçit.
Siç kemi bërë me dije dhe më herët Gjini i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, u ekzekutua me shtatë plumba vetëm pak metra larg banesës së tij. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se 40-vjeçari sapo kishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit kur ndaj tij u hap zjarr.
Edhe pse i plagosur rëndë, Ilir Gjini ka tentuar të largohej për t'i shpëtuar atentatit. Megjithatë, sipas dyshimeve të hetuesve, Emiljan alias Artur Suti e ka ndjekur nga pas dhe e ka qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës, derisa u sigurua që plagët e marra do të ishin fatale për të.
Nga hetimet rezulton se autori i dyshuar dhe viktima banonin në të njëjtën lagje në Laç, ndërsa motivi i krimit mbetet ende nën hetim. Ndërkohë në kuadër të hetimeve, Policia ka shoqëruar për t'i marrë në pyetje nënën dhe vëllain e Emiljan alias Artur Sutit, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Emiljan alias Artur Suti nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai ka precedentë penalë dhe një histori të gjatë përplasjesh me drejtësinë shqiptare, por jo vetëm, që datojnë prej më shumë se një dekade.
Në vitin 2010 ai dhe vëllai i tij, Gentian Suti (i konsideruar ky i fundit si i forti i Laçit) u arrestuan pas një përplasjeje me Policinë e Shtetit. Fillimisht, Prokuroria kërkoi dënimin e Artur Sutit me 21 vite burg dhe të Gentian Sutit me 20 vite, nën akuzën e tentativës së vrasjes së efektivëve të policisë. Megjithatë, gjykata rrëzoi këtë akuzë dhe i dënoi për veprat penale të "kanosjes për shkak të detyrës", "mosbindjes ndaj urdhrit të policisë" dhe "armëmbajtjes pa leje". Artur Suti u dënua përfundimisht me 5 vite burg, ndërsa vëllai i tij me 4 vite.
Një vit më pas, në nëntor të vitit 2011 vetë Artur Suti u bë objekt i një atentati. Teksa ndodhej me leje nga burgu, ai u qëllua me breshëri automatiku vetëm pak minuta pasi kishte dalë nga banesa. Sulmi ndodhi përballë Komisariatit të Policisë së Kurbinit, në qendër të Laçit.
Sipas hetimeve të asaj kohe, ndaj tij u shkrehën dy breshëri automatiku, ndërsa në vendngjarje u gjetën 12 gëzhoja. Suti arriti t'i shpëtonte atentatit falë një manovre të shpejtë me automjetin, pasi kishte pikasur autorin duke nxjerrë armën nga makina. Ai nuk u plagos dhe më pas u mor në pyetje nga policia, ku dyshohet se identifikoi autorin e sulmit.
Përveç dënimit në Shqipëri, Emiljan alias Artur Suti rezulton të ketë precedent penal edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa ka qenë i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.
Emri i familjes Suti është përmendur edhe në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit. Në vitin 2019, Artur Suti së bashku me vëllanë e tij Gentian Suti dhe një kushëri të tyre, u përfshinë në vrasjen e kushërinjve Mikel dhe Jani Jushi.
Si ndodhi vrasja dje, 9 Korrik:
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:10 në lagjen "Erdogan" të Laçit. Sipas të dhënave paraprake, Ilir Gjini, i njohur edhe si Ilir Lika, alias Kokaj dhe alias Nure, u qëllua me armë zjarri teksa po hynte në pallatin ku banonte. Dyshohet se autori e kishte ndjekur “këmba-këmbës” dhe zgjodhi momentin kur ai po afrohej pranë banesës për ta ekzekutuar.
Ai u qëllua me shtatë plumba, një prej të cilëve e preku në kokë dhe rezultoi të ishte fatale për 40-vjeçarin. Menjëherë u transportua drejt Spitalit të Traumës, mirëpo nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen shërbimet e Policisë së Shtetit mbërritën në vendin e ngjarjes ku nisën këqyrjen e zonës, administrimin e provave materiale dhe grumbullimin e çdo elementi që mund t'i shërbejë hetimit. Paralelisht, kontrollet vijuan gjatë gjithë natës në Laç dhe zonat përreth, ndërsa janë analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar itinerarin që Suti ka ndjekur dhe nëse ky shtetas është ndihmuar nga persona të tjerë apo ka vepruar i vetëm.

