SPAK ka përfunduar hetimet për vrasjen e tregtarit Besnik Hida në Lushnje dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Porokuroria e Posaçme ka kërkuar gjykimin e Ardian Ahmetajt si bashkëpunëtor në vrasjen e 40 vjeçarit, teksa ka kërkuar pushimin e çështjes për Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin për pamjaftueshmëri provash.
Kujtojmë se Ahmetaj ra në pranga vitin e kaluar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Gjykata e Fierit i kishte caktuar atij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me të akuzuarin si kreun e “bandës së Lushnjës” Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbilin vranë me armë zjarri Besnik Hidën.
Hida u ekzekutua më 1 tetor të vitit 2019, teksa ishte duke konsumuar kafe në një lokal në qytetin e Lushnjës, vrasësit atë kohë ishtin me maska dhe përdorën një makinë të grabitur prej një çifti në Tiranë.
Hida ishte daja i Zamir Latifit, të riut që u vra aksidentalisht më 11 tetor të 2017-ës, në “masakrën e Lushnjës”, kur shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. I ndjeri Besnik Hida, përgjatë 3 viteve në vijim kërkoi drejtësi për nipin por nuk mundi dot, pasi u ekzekutua edhe vetë.
