Një shtetas 80-vjeçar në Salento të Italisë është dënuar me 3 vite e 3 muaj burg për dhunë në familje dhe plagosje ushtruar ndaj bashkëshortes shqiptare dhe dy fëmijëve të saj.
Martesa dikur e lumtur, u shndërrua në "ferr" për gruan shqiptare, emri i së cilës nuk përmendet, dhe dy fëmijët e saj. Ngjarja nisi pasi burri solli në Itali gruan me origjinë shqiptare, shumë më të re në moshë se ai, së bashku me dy fëmijët e saj, duke i premtuar një familje të re dhe mundësinë për të lënë pas një jetë të vështirë. Sipas akuzës, megjithatë, ky premtim u shndërrua shumë shpejt në një makth, rapoton Corriere.
Sipas prokurorisë, që prej vitit 2017 e deri në maj të 2021-shit, burri e kishte nënshtruar familjen e tij në dhunë dhe keqtrajtim të vazhdueshëm, ai kontrollonte të gjitha lëvizjet e bashkëshortes dhe dy fëmijëve të saj, të cilët i kishte nga një lidhje e mëparshme, nuk i lejonte të dilnin nga shtëpia, të ndiqnin rregullisht shkollën apo të kishin kohë për argëtim. Madje, i detyronte të zgjoheshin herët për të pastruar apartamentet që jepeshin me qira.
Gjithçka shoqërohej me fyerje dhe kërcënime të vazhdueshme, si: "Ose largoheni, ose ju vras", "Jeni qen, jeni parazitë që ju mbaj në shtëpi dhe ju ushqej", si dhe "Unë jam ai që vendos këtu dhe ju jeni qentë të cilëve u jap për të ngrënë."
Një prej episodeve më të rënda është ai i regjistruar në tetorin e 2017-ës, kur 80-vjeçari, goditi dhe përplasi pas kaloriferit djalin asokohe 6 vjeç, duke i shkaktuar një plagë të madhe në kokë dhe humbje të madhe gjaku, aq sa u dërgua me urgjencë në spital. Në vitet e mëvonshme, burri dyshohet se e kishte goditur me shuplaka vajzën në disa raste, duke e ndjekur madje edhe në plazh për ta fyer me fjalë nga më të rëndat dhe e kërcënonte ta godiste me gur.
Ndërsa kur bashkëshortja kishte shprehur dëshirën për t’u ndarë, ai i vendosi duart në fyt dhe e kërcënoi se do ta vriste, por më tej sjellje kontradiktore duken të ketë patur agresori, pasi në një tjetër rast ai dyshohet se e kërcënoi djalin me fjalët: "Kur të vijë mami në shtëpi, thuaji t’u marrë të dyve dhe të largoheni që këtej, përndryshe do t’ju vras të treve."
Kanë qenë vizitat e përsëritura të gruas dhe vajzës së saj në urgjencën e spitalit ato që nxitën hetimet.
Ndërsa veç burgut, vendimi përcaktoi ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet, për dhunuesin, dëmshpërblim paraprak prej 25 mijë eurosh për bashkëshorten dhe djalin e mitur, 10 mijë euro për vajzën në moshë madhore, përveç dëmshpërblimit përfundimtar që do të përcaktohet më vonë.
