Hapësire reklamuese

Aktualitet

Laçi në "shtetrrethim" pas atentatit mafioz, si u kalua nata: 40-vjeçari me katër mbiemra u ekzekutua me 7 plumba, shoqërohen disa persona (PAMJE)

Shkruar nga Newsbomb
Laçi në "shtetrrethim" pas atentatit mafioz, si u kalua
Pamje nga vendi i ngjarjes

Detaje të reja kanë dalë nga atentati mafioz që tronditi mbrëmjen e së enjtes qytetin e Laçit, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrat Lika, Kokaj dhe Nure.

Qyteti e ka kaluar natën nën kontrolle të shumta policore, ndërsa efektivët kanë ngritur postblloqe, kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë në zonën ku ndodhi krimi dhe kanë zhvilluar kontrolle intensive për të rënë në gjurmët e autorit ose autorëve të atentatit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gjatë orëve të natës policia ka shoqëruar disa persona në komisariat. Ata dyshohet se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe po merren në pyetje, në përpjekje për të hedhur dritë mbi ekzekutimin e 40-vjeçarit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:10 në lagjen "Erdogan" të Laçit. Sipas të dhënave paraprake, Ilir Gjini, i njohur edhe si Ilir Lika, alias Kokaj dhe alias Nure, u qëllua me armë zjarri teksa po hynte në pallatin ku banonte. Dyshohet se autorët e kishin ndjekur “këmba-këmbës” dhe kanë zgjedhur momentin kur ai po afrohej pranë banesës për ta ekzekutuar.

Lajmi i përditësuar në orën 09:43

Ai u qëllua me shtatë plumba, një prej të cilëve e preku në kokë dhe rezultoi të ishte fatale për 40-vjeçarin. Menjëherë u transportua drejt Spitalit të Traumës, mirëpo nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.

Që në momentet e para, hetuesit kanë përjashtuar pistën e një konflikti të çastit, ndërsa dyshimet kryesore janë se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar. Dinamika e krimit dhe mënyra e ekzekutimit kanë bërë që grupi hetimor të fokusohet te identifikimi i autorëve dhe zbardhja e motiveve që çuan në vrasjen e 40-vjeçarit.

Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen shërbimet e Policisë së Shtetit mbërritën në vendin e ngjarjes ku nisën këqyrjen e zonës, administrimin e provave materiale dhe grumbullimin e çdo elementi që mund t'i shërbejë hetimit. Paralelisht, kontrollet vijuan gjatë gjithë natës në Laç dhe zonat përreth, ndërsa janë analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar itinerarin e autorëve.

“Rreth orës 22:10, në qytetin e Kurbinit, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit I.Gj alias I. L., alias I.K, alias I. N,  rreth 40 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ka humbur jetën gjatë transportimit.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese