Në seancën që po mbahet këtë të hënë në GJKKO për një nga pjesët e ndara të dosjes së ish-presidentit Ilir Meta, Prokuroria e Posaçme dha konkluzionet përfundimtare për çështjen e Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Prokurorët e SPAK, gjatë seancës gjyqësore kanë deklaruar se disa burime financiare të deklaruara nga të pandehurit nuk janë provuar me dokumentacion.
Sipas SPAK, Fatime Kryemadhi, nuk justifikon shlyerjen me para cash e dy kredive të marra, pasi dyshohet se paratë vijnë nga burime të pajustifikuara.
“Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruar nga Agi Kons për të shlyer kreditë, po ashtu 310 mijë euro të pajustifikuara. Janë marrë dy kredi për të blerë apartamentet, por kreditë janë shlyer me para cash, me burime të pajustifikuara. Deklaratat noteriale janë përpiluar pas pyetjes së Fatime Kryemadhit nga organi i akuzës. Po ashtu, personat e pyetur në lidhje me huatë me para cash Fatime Kryemadhit nuk ka asnjë gjurmë të deklarimit të shumave monetare në pikën e kalimit kufitar nga këta persona”, thanë në seancë prokurorët e SPAK.
Sa i përket Ema Çokut, e cila konsideruar si lidhje e ngushtë e Monika Kryemadhit, ku diçka e tillë provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta, por edhe nga disa transaksione të ndryshme bankare. Çoku sipas SPAK ka bërë deklarata noteriale që i ka dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro, ndërsa kompania e saj ka paguar faturën e hotelit të shtetasve të huaj që kishin ardhur për të mbështetur LSI.
Ndërsa nga hetimet ka rezultuar se Ema Çoku ka qenë në pamundësi për të bërë donacione, pasi ka qenë debitore në bankat e nivelit të dytë për shkak të kredive në shuma të mëdha.
Ndërsa po ashtu Çoku ka bërë deklarata noteriale për llogari të Fatime Kryemadhit, ku ka tentuar të justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë të këtij procedimi”.
