Ilir Selmani, i akuzuari kryesor për vrasjen e policit Santiago Malko, është paraqitur këtë të hënë në GJKKO.
Nën masa të rrepta sigurie, Selmani fut në ambientet e brendshme të Gjykatës së Posaçme, ku do të mbahet edhe seanca e radhës për këtë dosje.
Kujtojmë që Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi në 19 qershor që të zbusë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” për shtetasin Ilir Selmani i cili në nëntorin e 2023 u dënua me 28 vite burg për eliminimin e ish-efektivit.
Si ndodhi vrasja e policit Santiago Malko:
Vrasja e ish-policit ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko.
Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qenë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare.
Roli i Ilir Selmanit në vrasjen e Santiago Malkos, ka qenë bërja gati e automjetit me të cilin janë larguar pas ekzekutimit autorët dhe fshirja e gjurmëve të tjera të lëna në vendngjarje ndërkohë që pritej shënjestra
I udhëzuar nga Leonard Duka, Selmani ka kthyer makinën pasi kanë shënjestruar Malkon. Më pas Ilir Selmani shfaqet në disa video teksa mbledh bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, survejuesi i ish-policit.
