Tre ditë pas ngjarjes që tronditi mbarë vendin, një përplasje fizike e debat i ashpër mes ish-dhëndrit dhe ish-vjehrrit të tij e cila pati një fund tragjik me humbjen e 3 jetë njerëzish, janë zbardhur detaje të reja në lidhje me të shkuarën dhe momentet e fundit të autorit të ngjarjes, Refit Buzi, që pas krimit të dyfishtë kreu vetëvrasje.
Ka qenë dëshmia e ish të fejuarës së tij, Rozalinda Plaka që ka nxjerrë në pah një marrëdhënie të krisur prej kohësh mes dyshes dhe problemet e kërcënimet e marra ndër vite si pasojë e përfshirjes së Refit Buzit në tregtimin e drogës dhe kujdesjes së shtëpia të barit.
Pas disa vitesh njohje së bashku, Rozalinda tregon se në 2020 ata zgjodhën të zyrtarizonin fejesën, e cila nuk zgjati më shumë se 4 vite. Në 2024, Rozalinda thotë se i ka kërkuar ndarjen Refitit, për shkak të jetë së tij të çrregullt dhe të shkuarës së errët kriminale. Për pasojë, në ndarjen e dyshes këmbëngulnin shpesh dhe kryefamiljarët e familjes Plaka, të cilët u përballën me një fund të trishtë, ish-dhëndri u mori jetën në derë të shtëpisë.
“Në vitin 2020 kemi shpallur fejesën dhe kemi krijuar hyrje-dalje familjare. Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem nga ai, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ka qenë sepse ai kishte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua. Këto gjëra i dinin edhe prindërit e mi, të cilët nuk kanë qenë dakord për këtë lidhje që në fillim” është shprehur Rozalinda.
E tronditur dhe në një gjendje të rëndë psikologjike, e reja tregon momentin e përplasjes së ish të fejuarit me prindërit e saj, ngjarje që u përmbyll me plagosjen për vdekje të babait, të cilin Rozalinda e ka parë në hyrje të dhomës të mbuluar me gjak.
“Kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, kurse prindërit e mi kanë qenë në dhomën e tyre. Kam dëgjuar zhurmë të fortë që më është dukur si krismë arme dhe kam dalë në korridor të shikoj se çfarë kishte ndodhur.
Kur dola kam parë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë si ato të gjahut në dorë, si dhe kam parë babain tim Kosta Plaka të shtrirë përmbys te hyrja e dhomës, i mbuluar me gjak” ka shtuar më tej Rozalinda.
Pasi përjetoi tmerrin duke parë babain e saj të mbuluar nga gjaku në mesin e shtëpisë së tyre, Rozalinda ka tentuar që të ndalojë Refitin duke i mbajtur armën që ai kishte me vete. Ndërsa shton se momenti i ndërhyrjes së saj solli një përshkallëzim të situatës, pasi autori kërcënoi se do i vriste të gjithë. Pak minuta pasi babai i saj po jepte frymën e fundit në tokë, e reja tregon e shokuar se ishi e mori me forcë dhe e futi në makinë, ndërsa trupi i saj ishte i mbushur me copa xhami.
“Unë i kam kapur armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘Do t’ju vras të gjithëve’. Më shtyu dhe më qëlloi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty jam plagosur me copa xhami në trup.
Më mori me forcë e më hipi te makina. Momenti kur më mori me forcë nga shtëpia deri kur kam hipur në makinë nuk më kujtohet, sepse kam qenë shumë e tronditur” vijon dëshmia e Rozalindës.
Më tej Rozalinda është shprehur se Buzi ishte zbathur dhe gjatë komunikimit me autoritetet ai ka thënë se këpucët ia kishte dhënë asaj.
Sipas saj, gjatë negociatave prokurori e ka pyetur: “Vetëdorëzohu, pse je zbathur?”, ndërsa ai është përgjigjur: “I hoqa, ia dhashë… Ia dhashë asaj t’i veshë, se e mora zbathur.”
Nga ana tjetër, në sajë të hetimeve të kryera në lidhje me autorin e ngjarjes dhe të shkuarën e tij, ka dalë në pah një tjetër procedim penal që rëndonte ndaj 35-vjeçarit, bëhet fjalë për veprën penale “Mashtrim”.
Prokurori Kristi Jorgji, i cili mori pjesë personalisht në negociatat me Buzin për ta bindur të dorëzohej, është njëkohësisht prokurori që hetonte edhe çështjen e mashtrimit ndaj tij, raporton Top Channel.
Mësohet se Buzi ushtronte aktivitet në tregtinë e perimeve, duke u premtuar fermerëve eksportimin e produkteve në tregjet europiane. Disa prej tyre raportohet se e kanë kallëzuar, pasi pretendojnë se nuk morën pagesat për mallin që i kishin dorëzuar.
Ditën e premte kur ai kreu krimin e trefishtë, Buzi ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, i akuzuar për përndjekje ndaj ish-të fejuarës së tij, Rozalinda Plaka.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjatë negociatave, prokurori Jorgji nuk i kishte treguar Buzit se ish-vjehrri kishte humbur jetën, por i kishte komunikuar se ai dhe bashkëshortja ndodheshin të plagosur në spital.
Megjithatë, 35-vjeçari ndiqte zhvillimet përmes telefonit celular. Raportohet se Buzi ishte shumë pranë dorëzimit, por para se të merrte vendimin e vetëvrasjes, u është drejtuar negociatorëve me fjalët: “Prit, të shoh lajmet”.
Pasi mësoi nga mediat se ish-vjehrri kishte ndërruar jetë, ai refuzoi sërish të dorëzonte armën. Për rrjedhojë, 35-vjeçari qëlloi veten me armë, duke i dhënë fund jetës në sy të forcave të policisë që ndodheshin në vendngjarje, duke e rritur në 3 numrin e viktimave të shkaktuara për shkak të përplasjes me ish-vjehrrin e tij.


