Hapësire reklamuese

Aktualitet

Vdiq në ditën e pushimit duke rregulluar energjinë elektrike për banorët e Zërvaskës, i jepet sot lamtumira e fundit elektriçistit 57-vjeçar Agim Beqiri

Shkruar nga Newsbomb
Vdiq në ditën e pushimit duke rregulluar energjinë elektrike
Pamje nga vendngjarja, lajmërimi për Agim Beqirin

Do të përcillet sot për në banesën e fundit elektriçisti Agim Beqiri 57-vjeçari i cili humbi jetën dje në krye të detyrës, edhe pse ishte dita e tij e pushimit. 

Newsbomb.al mëson se ceremonia mortore e Agimit do të zhvillohet ditën e sotme në orën 14:00 në zonën e Zagorçanit, që thuhet se është vendlindja e tij.

Vdiq në ditën e pushimit duke rregulluar energjinë elektrike
 

Vdekja e elektriçistit Agim Beqiri ka tronditur jo vetëm Gështenjasin (Zërvaskën) ku ndodhi ngjarja, por mbarë opinionin publik pasi, elektriçisti 57 vjeçar humbi jetën në përpjekje për të rregulluar një defekt që e kishte vënë re në shtyllat elektrike, çka i mori atij jetën duke e lënë trupin e tij të pajetë të varur për disa minuta mbi tela.

Banorë të vendit, të shokuar nga tragjedia e ndodhur, kanë bërë me dije se trupi i pajetë iu Agimit mbeti për disa minuta mbi telat elektrikë, të cilat ai u mundua që t’i rregullonte.  

Zemërthyer e të tronditur për një elektriçist të përkushtuar aq sa ai vdiq në krye të detyrës në ditën e pushimit, madje duke i shërbyer banorëve të Zërvaskës në ditën e tij të pushimit, kanë reaguar dhe figura të njohura të Partisë Socialiste, Bledi Çomo dhe Alfons Olldashi.

Përmes dedikimeve të bëra në rrjet, dyshja e kujton elektriçistin si një person korrekt e të respektuar.

Reagimi i Bledi Çomos:

Sot ka humbur jetën në krye të detyrës, punonjësi model i Njësisë Administrative Buçimas, Agim Beqiri!

I ndjeri ,humbi jetën duke rregulluar një defekt elektrik, në përmbushje të misionit të tij në shërbim të komunitetit.

Ngushëllime familjes Beqiri për humbjen e bashkëshortit ,babait dhe njeriut të tyre të afërt!

Ngushëllime kolegëve të Agimit!

Qoftë i paharruar dhe u prehtë në paqe Agim Beqiri!

Reagimi i Alfons Olldashit:

Me shumë dhimbje mësova për ndarjen nga jeta të elektriçistit Agim Beqiri. Për 5 vite kemi punuar bashkë në Njësinë Administrative Buçimas dhe kam pasur mundësinë të njoh nga afër një njeri të mirë, korrekt dhe të respektuar.

Do ta kujtoj gjithmonë me respekt. U prehtë në paqe, Agimi. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve.

Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve për humbjen tragjike të njeriut të tyre të zemrës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese