Greva e punonjësve grekë të doganave ka pezulluar punën në katër pikat kufitare me Shqipërinë. Ku sipas një njoftimi të bërë nga departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit, në pikën kufitare të Kakavijës dhe Tre Urat në Përmet, është ndërprerë lëvizja e automjeteve, duke nisur që prej orës 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 11:00 sipas orës shqiptare.
Ndërsa në dy pikat e tjera kufitare, atë të Kapshticës dhe në Qafë-Botë pezullimi i hyrje daljeve ka nisur prej orës 05:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 09:00.
Rastet e vetme që do të lejohen të kalojnë janë këmbëësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore.
Njoftimi:
Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit njofton se është informuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se, më datë 27.07.2026, punonjësit e doganës greke do të zhvillojnë grevë, sipas këtij orari:
Nga ora 07:00 deri në orën 11:00 (me orën shqiptare), në PKK Kakavijë dhe Tre Urat (Përmet);
Nga ora 05:00 deri në orën 09:00 (me orën shqiptare), në PKK Kapshticë (Korçë) dhe Qafë Botë (Sarandë).
Për shkak të kësaj greve, gjatë këtyre intervaleve kohore do të pezullohet lëvizja e automjeteve në këto pika të kalimit kufitar.
Sipas informacionit të përcjellë nga Policia Kufitare e Janinës, gjatë kësaj periudhe do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat).
Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë, të shtyjnë udhëtimin deri në përfundim të orarit të grevës, me qëllim shmangien e grumbullimeve në pikat e kalimit kufitar të sipërpërmendura.
