Gjatë një interviste për Euronews Albania, juristja Mirela Jorgo foli në lidhje me zhgënjimin e qytetarëve për çështje të arsimit dhe shëndetësisë, duke theksuar se protestat pasqyrojnë një sërë problematikash të akumuluara. Ajo nënvizoi se të heqësh një drejtor edhe të vendosësh një tjetër sjell përsëritje të të njëjtave probleme.
Juristja nuk la pa përmendur edhe rastin e ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare në degën e Durrësit, e cila dyshohet se ka abuzuar me fondet e institucionit duke i përdorur për lojëra fati në kazino.
“Aty ka shqiptarë të zhgënjyer për arsimin, për shëndetësinë. Janë shumë problematika në atë lloj proteste, në atë lloj bulevardi, sepse mund të dalë tani kryeministri dhe të thotë se më kanë ngrënë kumbulla dhe dardha. Por tani më duket se ata po hanë qingja, çdo javë po hanë qingja.
Shkarkohet një drejtor, vjen një drejtor tjetër. Doli ajo tjetra, një e çmendur, që arriti të grabiste postën për t’i çuar në kazino, ndërkohë që ishin gjithë pjesët e pensioneve të baballarëve tanë, të gjithë kategorisë së pensionistëve. Është e papranueshme të shikoje një skenë të tillë në një shtet tjetër europian, sepse do të ishte bërë hataja. Ai doli pa e prishur terezinë, mbushi thasët dhe iku.” u shpreh Jorgo.
