Dy shtetas shqiptarë u shpallën fajtorë nga Gjykata e Bradford Crown Court pasi policia britanike zbuloi një banesë të përshtatur për kultivim kanabisi.
Sokrat Sinjari, 30 vjeç, dhe Sheme Selmani, 22 vjeç, kishin hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe punonin për të shlyer borxhe prej 10 mijë paundësh ndaj personave që u kishin mundësuar kalimin.
Ata u kapën më 17 maj, kur policia ndërhyri në banesën ku ishte ngritur një laborator i plotë me ndriçim LED, ventilim dhe pajisje të tjera.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 46 bimë kanabisi, disa kilogramë drogë e tharë e paketuar, si dhe para, telefona dhe dokumente bankare.
Sinjari dhe Selmani pranuan fajësinë për prodhimin e lëndëve narkotike të klasës B me qëllim shpërndarjen.
Rasti i Sinjarit u konsiderua më i rëndë, pasi ai kishte thyer një urdhër dëbimi. Ai ishte deportuar në Shqipëri në shkurt, por ishte rikthyer sërish ilegalisht.
Në gjykatë, Sinjari deklaroi se kishte frikë për familjen e tij, ndërsa Selmani tha se ishte detyruar të punonte për të shlyer huanë.
Sinjari u dënua me 28 muaj burg, ndërsa Selmani me 18 muaj. Ata do të vuajnë rreth 40% të dënimit përpara se të lirohen me kusht. Droga, pajisjet dhe paratë e sekuestruara do të konfiskohen dhe shkatërrohen.
