Gjatë një interviste për A2CNN, eksperti i turizmit Zak Topuzi ka folur në lidhje me sfidat e zhvillimit të turizmit në vend. Ai u ndal tek shembujt e vendeve si Turqia, Greqia, Spanja, Portugalia dhe Franca, duke u shprehur se këto shtete kanë ndërtuar prej më shumë se 20 vitesh një model miks të turizmit, i cili lidhet me ofertën luksoze dhe premium, duke angazhuar të gjitha kategoritë e njerëzve.
Sipas tij, ky model funksionon duke ofruar mundësi për çdo preferencë duke e përshtatur me kërkesën e turistit nga hotelet luksoze me çmime të larta, tek apartamentet, fshatrat turistikë, kuzhina tradicionale apo restorantet Michelin.
Ai solli si shembull Malin e Zi, ku sipas tij nuk lejohet mbyllja e zonave turistike, ndryshe nga rasti i Green Coast në Shqipëri, që deklaroi hapjen vetëm më 1 qershor.
“Turqia na ka lënë “shëndenë” sepse ka dalë në modele të tjera dhe ne po i luftojmë këto modele që Turqia ka 20 vjet që i ndërton.
Domethënë, modeli miks që ka ndërtuar Greqia, Turqia, Spanja, Portugalia, çfarë të them unë, Franca, të gjithë ky model miks lidhet me turizmin luksoz, me turizmin premium, ku angazhohen të gjitha kategoritë e njerëzve.
Ai që do hotel me 1.000 € shkon te hoteli, por është brenda të njëjtit vend. Ai që do në apartament shkon në apartament, ai që do në fshat shkon në fshat. Ai që do të hajë në kuzhinë tradicionale, ha në kuzhinë tradicionale. Ai që do Michelin shkon te restoranti Michelin. Ka dyqane, ka shërbime të cilat funksionojnë dhe zona mbahet e hapur 12 muaj të vitit me detyrim ligjor.
Pra, po të shkosh në Mal të Zi, ai nuk mund të thotë “do ta mbyll”. Siç mbylli Green Coast, për shembull, që tha “u hapa më 1 qershor”. Ai është i stimuluar, por ka detyrim ligjor ta mbajë hapur gjatë 12 muajve, të mbajë punëtorët në punë, të mbajë hapur të gjithë zonën aty dhe, domethënë, të gjithë banorët e komunitetit punojnë për këtë sistem." u shpreh Topuzi.
