Dy plumba në kraharor dhe një në bark i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja i cili u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi. Gjyqtari u qëllua në Gjykatën e Apelit në Tiranë menjëherë pasi dha vendimin për pronat në Shkodër jo në favor të familjes Shkambi.
Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin në proces gjyqësor me autorin Ervis Shkambi.
Pas ngjarjes, autori ka deklaruar se e qëlloi gjyqtarin pasi po humbiste gjyqin për pronat. Siç mësohet, autori Elvis Shkambi ka qenë brenda në sallën e gjyqit, me seancën që ka nisur në orën 14:00.
Gjyqtari Astrit Kalaja është njohur me faktet, me pretendimet e palëve dhe në fund ka vendosur në favor të të plagosurve.
Pas përfundimit të seancës, i ndjeri Kalaja ka dalë në korridor. Aty është pritur nga autori Shkambi që e ka qëlluar me armë të tipit pistoletë. Pas përfundimit të aktit kriminal, ai ia ka dhënë armën rojës së sigurisë së gjykatës.
Pas kësaj, autori ka dalë jashtë ambienteve të Gjykatës, ku ka shkuar pranë një patrulle të policisë duke i treguar gjithçka ka ndodhur. Kësisoj ai është dorëzuar duke treguar ngjarjen e rëndë që ka tronditur sot gjithë Tiranën.


