Politologu Afrim Krasniqi, gjatë një interviste për A2CNN, kritikoi mënyrën se si funksionon administrata publike në Shqipëri dhe paradokseve që ka krijuar ky sistem. Krasniqi e vendosi theksin tek një kontrast që sipas tij është absurd pasi shteti shpenzon më shumë për të paguar gjyqet e humbura dhe rroga të njerëzve që nuk lejohen të kthehen në punë sesa për kërkimin shkencor.
"E dini ju që buxheti i shtetit që paguan për gjyqet e humbura në administratën publike, në këtë lloj administrate që kontrollohet deri diku nga një parti politike është shumë më e lartë se sa buxheti i kërkimit shkencor në Shqipëri, meqenëse miratuam këtë paketën e BE-së, e kaluam këtë kapitullin për shkencën, është qesharake.
Si mundet ky vend me kaq shumë probleme të paguajë miliarda për gjyqe të humbura dhe për çfarë për të njëjtat vende ku ti ke hequr dikë dhe ke vendosur një partiak.
Gjykata i ka dhënë të drejtë dhe ti nuk e kthen në punë edhe ky është një paradoks," tha Krasniqi
Ai nënvizoi se njerëzit nuk jetojnë thjesht për një rrogë, por për të krijuar e kontribuar. T’i mbash në shtëpi me pagesë, pa mundësi pune, është një formë e deformimit social sipas tij, dhe kur e drejton ankesën te institucionet përkatëse ata pranojnë, por justifikohen me “kushtet e emergjencës”, duke treguar presion politik të vazhdueshëm.
"Unë njoh njerëz që kanë 12 vjet që marrin rrogat dhe qëndrojnë në shtëpi për shkak të këtij sistemi.
Ata ankohen sepse jeta e njeriut është jetë krijuese, njeriu nuk jeton për një rrogë, ata ankohen me idenë sesi mundet të mos zbatohet vendimi i gjykatës. Edhe kur ne ua adresojmë institucioneve përkatëse, edhe institucionet e pranojnë nuk e refuzojnë këtë gjë. Por ata thonë për shkak të titullarëve dhe për shkak të pamundësive, për shkak të strukturës, për shkak të presionit për shkak të mungesës së stabiliteti jemi detyruar të operojmë në kushte emergjence. Edhe ka kushte emergjenca pafund." u shpreh Krasniqi.
