Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi pasditen e kësaj të mërkure në Unazën e Madhe të Tiranës, ku një betoniere doli nga rruga dhe përfundoi poshtë mbikalimit, pasi u përplas me një automjet tip “Audi”.
Sipas informacioneve paraprake, betonierja po lëvizte nga Unaza Lindore, në aksin Farkë-TEG, me drejtim rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare.
Dyshohet se mjeti i tonazhit të rëndë po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin kur iu afrua rrethrrotullimit, ku duhej të ndalonte për t’u dhënë përparësi automjeteve që qarkullonin brenda tij. Në vendin e ngjarjes janë konstatuar edhe shenja të forta frenimi në asfalt, të cilat pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të aksidentit.
Në të njëjtën kohë, automjeti tip “Audi” kishte hyrë në rrethrrotullim. Sipas të dhënave paraprake, betonieria është përplasur me anën e djathtë të automjetit dhe, si pasojë e goditjes ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, ku ka përfunduar poshtë mbikalimit, në autostradën që kalon nën të.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një person, si dhe ka mbetur i plagosur edhe një tjetër, të ndodheshin në betoniere.



