Hapësire reklamuese

Aktualitet

MIE jep detaje pas stuhisë që goditi Shqipërinë: U rrëzuan kontejnerët në Durrës, mbi 1000 punonjës në terren! Saranda pezullon lundrimet në det

Shkruar nga Newsbomb
MIE jep detaje pas stuhisë që goditi Shqipërinë: U
Foto ilustruese

Ndryshimi drastik i motit, i cili nga temperatura të larta që po shkaktonin thatësira në mbarë Shqipërinë, në stuhi e reshje shiu që shkatërruan disa prej qyteteve të vendit kryesisht ato bregdetare, ka bërë që autoritetet vendase të dalin në terren për të marrë situatën në kontroll.  

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës bën me dije se ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë zbarkuar në terren duke bërë të mundur pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve apo materialeve të tjera. Ndërsa bëhet me dije se qarkullimi i automjeteve gjatë ditës së sotme ka vijuar si normalisht.

Sakaq mësohet se në rang vendi 21 fidera janë aktualisht jashtë pune, e ndër vendet më të prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.

Po ashtu bëhet me dije se 1000 punonjës të OSHEE-së janë në terren duke punuar për furnizimin e fshatrave me energji elektrike. Stuhia e fuqishme që mbërtheu mbrëmjen e djeshme Shqipërinë ka shkaktuar probleme dhe në furnizimin e fshatrave me ujë të pijshëm, për të cilën thuhet se po punohet për të marrë situatën nën kontroll.

Ndërkaq, situata thuhet se ka qenë më problematike në zonat bregdetare, konkretisht në Durrës ku mësohet se stuhia e fuqishme ka rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.

Për të vijuar në jug të vendit, bëhet me dije se aktualisht situata në Sarandë paraqitet e qetë, ndërsa thuhet se po vijojnë lundrimet me linjën e Korfuzit vijon normalisht. Megjithatë, me qëllim të shmangies së rrezikut e për të mbrojtur jetën  e qytetarëve njoftohet se ditën e nesërme, më 23 korrik nuk do të lejohet lundrimi në det.

Njoftimi i Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës:

Mbrëmjen e djeshme, disa zona të vendit u përfshinë nga moti i keq, me reshje intensive shiu, të shoqëruara me erë të fuqishme, të cilat shkaktuan disa problematika. Grupet e punës, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë qenë në terren që në momentet e para, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.

AKSET RRUGORE

Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë monitoruar vazhdimisht situatën në terren, duke bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo materialeve. Akset kombëtare kanë qenë të kalueshme pa problematika dhe qarkullimi ka vijuar normalisht.

ARRSH është në gatishmëri dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e rrugëve.

FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE

Aktualisht, në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.

Në orët e para të mëngjesit është vendosur në punë Nst i Livadhjasë dhe është rikthyer energjia në disa zona. OSSH ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për normalizimin e situatës së furnizimit me energji elektrike.

RRJETI I TRANSMETIMIT

Aktualisht, të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.

KASKADA E DRINIT

Situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.

FURNIZIMI ME UJË

Sarandë

Situata në Stacionin e Pompimit të Ujit të Ndotur (SPUN) në Sarandë është rikthyer në normalitet. Gjithashtu, edhe SPUN në Ksamil është rikthyer në funksionim normal. Rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.

Durrës

Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë. Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.

Fier

Rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit. Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.

PORTET DHE AEROPORTI

Aeroporti i Tiranës.

Situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.

Porti i Durrësit

Si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.

Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.

Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht. Në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht.

Njoftimi për pezullimin e lundrimeve në Sarandë:

Asnjëherë të paturit kujdes kudo por edhe para stuhisë nuk është gabim përveçse mbrojtje…

Stuhia e një dite më parë, dyshohet se mund të përsëritet edhe këtë mbasdite. Prandaj duhet  që secili prej nesh, qytetarë dhe administratorë biznesesh duhet të jemi të parapërgatitur për të ruajtur secili pronën e vet dhe atë të përbashkët. Njoftimi i ardhur nga Kapiteneria flet për paraditen e datës 23 korrik që nuk do të lejohet lundrimi në det. Marrja e masave para stuhisë nuk flet për frikë por për kujdes nga luhatjet e motit, të pazakonshme në Sarandën tonë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese