Dy shtetas me iniciale K. B., 52 vjeç dhe A. S., 54 vjeç me banim në Fushë Krujë, janë arrestuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit, pasi akuzohen se janë autor të dyshuar të kultivimit të bimëve të kanabisit në një parcelë në fshatin Zgërdhesh.
Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, në koordinim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 2 shtetasve, u finalizua operacioni i koduar “Kushtet”.
Gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në parcelën në fshatin Zgërdhesh, ku kishin kultivuar bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, dhe u vunë në pranga shtetasit K. B., 52 vjeç dhe A. S., 54 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë.
Përveç bimëve të kultivuara, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies, u konstatua se po përgatiteshin për t’u kultivuar bimë të tjera në këtë terren. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Krujës apelon për të gjithë qytetarët e rrethit dhe kryesisht për shtetasit që jetojnë në zona rurale, që të denoncojnë menjëherë çdo indicie që kanë për përshtatje të sipërfaqeve të tokave në afërsi të banesave të tyre, për kultivim të bimëve narkotike.
