Kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo ka reaguar pasi elektricisti i OSHEE, Bashkim Boçi humbi jetën në krye të detyrës, pasi ra nga lartësia, teksa ishte duke punuar për rregullimin e probleme që shkaktoi stuhia e mbrëmshme në Himarë.
Tavo shkruan se lajmi për humbjen e jetës së një elektricisti në qytetin e tij është shumë i rëndë.
Po ashtu kryebashkiaku i Himarës shkruan se janë të pikëlluar dhe se Ikja e njerëzve të tillë, që jetën ia kanë kushtuar shërbimit ndaj qytetarëve, është edhe më e rëndë.
Postimi i plotë i Vangjel Tavos:
Elektricisti humbi jetën ndërsa riparonte rrjetin!
Shumë i rëndë lajmi për humbjen e jetës së një elektricisti, që po punonte për riparimin e defekteve të shkaktuara nga stuhia e mbrëmshme në zonën e Himarës.
Bashkim Koçi, 55 vjeç, një specialist i vjetër i këtij sektori, punonte në OSSH-në e Elbasanit që prej vitit 2000. Ai ishte pjesë e ekipeve që u angazhuan për të rehabilituar rrjetin e dëmtuar nga stuhia në zonat e bregut në jug të vendit. Por këputja e rripit të sigurimit, ndërsa ndodhej në një lartësi prej 9 metrash, ishte fatale.
Ai humbi jetën në vend!
Jemi tërësisht të pikëlluar nga kjo ngjarje. Ikja e njerëzve të tillë, që jetën ia kanë kushtuar shërbimit ndaj qytetarëve, është edhe më e rëndë.
I bashkohemi dhimbjes së familjes së Bashkimit dhe kolegëve të tij.
U prehtë në paqe!

