Gazetarja e kronikës Anila Hoxha ka denoncuar një rast që e cilëson absurd, ku një nënë e tre fëmijëve, të moshave 4 vjeç, 2 vjeç dhe 7 muaj, është arrestuar sapo ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte e dënuar me dy muaj burg për dhunë ndaj vjehrrit të saj.
Sipas Hoxhës, rasti i 34-vjeçares ka vënë përballë një situate të vështirë autoritetet shqiptare, për shkak të pranisë së tre fëmijëve të mitur. Nëna ka kërkuar me ngulm që të merrte me vete në qeli foshnjën 7-muajshe dhe fëmijën 2-vjeçar, për shkak të moshës dhe nevojës për përkujdesje. Ndërkohë, sipas saj, edhe fëmija 4-vjeçar duhej të qëndronte pranë nënës, pasi vuan nga probleme shëndetësore.
Më pas, në ambientet e policisë kanë mbërritur bashkëshorti i saj dhe vjehrri, të cilët kanë marrë në kujdes dy fëmijët më të rritur.
Sipas gazetares, amnistia e miratuar disa javë më parë në Parlament nuk e përfshinte 34-vjeçaren, pasi autoritetet kanë vlerësuar se ajo kishte shmangur ekzekutimin e dënimit. Për këtë arsye, ajo është dërguar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë të Pogradecit.
Hoxha shton se gjatë shoqërimit të gruas, edhe efektivët e policisë janë prekur emocionalisht dhe kanë qarë për situatën e saj.
Ndërkohë, bëhet me dije se sot pritet që në burg t’i bashkohet edhe fëmija 2-vjeçar, ndërsa 34-vjeçarja do të vuajë dënimin prej dy muajsh burg.
Postimi i Anila Hoxhës:
Një 34 vjecare ka qenë gjatë gjithë ditës së sotme një ushtrim I vështirë për autoritetet. Jo sepse ajo ishte e kërkuar dhe u arrestua sapo mbërriti në aeroport. Jo sepse ishte e rrezikshme. Por për shkak të fëmijve , njëri 4 vjec i sëmurë, tjetri 2 vjec dhe më I vogli afro 7 muajsh. Në kthim e sipër nga Gjermania ku kishte lindur dy më të vegjëlit, gruaja duhej arrestuar; sepse duhet të shlyente 2 muaj burg të shpallura në mungesë ndaj saj.
Akuza - dhunë në familje ndaj vjehrrit
Problemi për policinë, më pas për prokuroren që lëshoi urdhërin e egzekutimit e më pas për burgjet ishte, ku do venin fëmijët e saj? Nëna kërkonte me insistim që fëmijët të qëndronin me të, sepse sipas saj nuk kishte ku ti linte.
Së paku fëmijën më të vogël, ma lini – u lut ajo.
Por edhe 2 vjecarin dua ta kem pranë u përgjërua. Po edhe të tretin se është sëmurë
Prokurorja mat, vendimi duhej egzekutuar , gruaja duhet të shlyejë 2 muajt e burgut
Kuptohet , policia zbaton nuk diskuton dot. Gjykata nga ana tjetër ka folur me kohë.
Deri sa mbërriti babai, dhe gjyshi - edhe ai donte që gjendja të zgjidhej
Po si te vepronin autoritetet se ligji do bindje, gruaja duhet të mbyllej në burg
Askush nuk e diskutoi që dënimi prej 2 muaj burg , përfshihet në ligjin e amnistisë. Por u vlerësua se i është shmangur dënimit. Ndaj burg
Zgjidhja; gruaja përfundoi në Pojskë
Policët u ligështuan dhe qanë pak bashkë me të rruges Tirane - Pogradec.
Te voglin ja lane ne gji , fëmija tjeter 2 vjec pritet ti dorëzohet neser ne burg.
Vjehrri natyrisht e ka falur
Edhe shteti me gjase e ka falur me amnistinë, por ajo sonte është në burg , në pritje ti bashkohet nesër edhe fëmija tjeter
Ja pra ligjet funksionojnë….
