Moti i keq i cili përfshiu mbrëmjen e djeshme zonën e Gjirokastrës ka qenë ndihmë në shuarjen e disa zjarreve që rrezikonin zonat e banuara. Sipas Shërbimit Zjarrfikës në orën 22:15, nga vëzhguesit e MZSH-së u njoftuan për praninë e tre vatrave zjarri në fshatin Andon Poçi.
Në vendin e ngjarjes shkuan dy grupe shërbimi me automjete zjarrfikëse, dhe nga verifikimi në terren u konstatua se një vatër zjarri ndodhej pranë një kabine elektrike, ndërsa dy vatra të tjera ndodheshin në jug të fshatit.
Zjarri pranë kabinës elektrike mori përmasa të konsiderueshme, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse vijoi për izolimin dhe shuarjen e tij. Të ndihmuar edhe nga reshjet e shiut zjarrfikësit bënë të mundur shuarjen e zjarreve.
