Ministri Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka përgëzuar publikisht aksionin e Policisë Rrugore për evidentimin dhe penalizmin e drejtuesve që përdorin xhama të zinj për automjetet e tyre.
Lamallari shton se nuk do të ketë asnjë tolerim për këtë shkelje dhe se të gjithë duhet të vihen në zbatim të rregullave të qarkullimit.
Ministri thekson se përdorimi i filmave të errët pa autorizimin përkatës është shkelje që cënon sigurinë dhe transparencën.
“Xhamat e errësuar në makinë nuk ju bëjnë të padukshëm. Dhe më keq akoma kur ato i keni pa leje, sigurisht që do të hiqen pa një pa dy nga Policia e Shtetit. Rrugët nuk janë vend për anonimitet dhe as për privilegje. Janë hapësirë publike ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë,” shprehet Lamallari në reagimin e tij.
Sipas të dhënave të Policisë Rrugore janë intensifikuar kontrollet në të gjitha akset kombëtare dhe urbane të vendit, ku gjatë dy javëve të fundit forcat e rendit kanë paralizuar më shumë se 500 drejtues mjetesh.
Fokusi i këtij operacioni është identifikimi i automjeteve me xhama të zinj të pacertifikuar, heqja e tyre në vend, si dhe zbatimi i sanksioneve administrative.
