Ilir Beqaj ka bërë ditën e sotme një tjetër përpjekje për t’i shpëtuar qelisë. Ish-ministri i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs, duke kërkuar që kundrejtë garancisë pasurore masa e sigurisë “arrest me burg” të zëvendësohet me një masë më të lehtë.
Kërkesa mësohet të jetë depozituar këtë të martë dhe vjen pas përpjekjes së bërë prej Beqajt më 13 maj, atherë kur ai kërkoi të njëjtën gjë duke ofruar një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh.
Kujtojmë se Ilir Beqaj ndodhet në paraburhimin e Durrësit që prej 4 korrikut të 2024-ës në lidhje me dosjen e sterilizimit. Më 28 maj Gjykata e Posaçme vendosi që ai të gjykohej veçmas për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grupit të strukturuar kriminal.
Ilir Beqaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij fillimisht u caktua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” para një hetuesi apo oficeri të Policisë Gjyqësore një herë në javë, çdo të premte në orën 15.30. Gjithashtu, Ilir Beqajt iu komunikua dhe masa e dytë “Ndalim i daljes jashtë vendit”.
Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.
