Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar këtë të martë ka nisur një protestë në Prrenjas kundër reformës së re territorial, e cila parashikon një bashkim të mundshëm të kësaj bashkie me Librazhdin.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit, ku edhe kanë shprehur kundërshimin e tyre ndaj këtij propozimi. Mësohet se protestuesit mbajnë në duar flamuj kombëtarë dhe sipas organizatorëve manifestimi është duke u zhvilluar pa simbole apo parulla partiake.
Kujtojmë se pak më herët gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe deputetja e zonës, Bora Muzhaqi, e cila ka shkruar se është kontaktuar nga banorët për këtë temë. Muzhaqi shprehet se e njeh mirë zonën dhe se mesazhi që ka marrë prej tyre është i qartë. Ajo thekson se ky shqetësim do t’u përcillet institucioneve.

