Babai i dy fëmijëve të mitur, shqiptari Xhevdet Bakushi humbi jetën pas aksidentit tragjik të ndodhur mbrëmjen e 19 korrikut në Itali, duke lënë pas një plagë të pashërueshme për familjen e tij, në veçanti gruan e cila do të rrisë e vetme dy fëmijët e tyre.
Një reagim prekës është bërë pasditen e sotme nga gruaja e Xhevdetit, e cila zemërthyer shkruan se po ajo sa herë që merr frymë ndjen një dhimbje që e shkatërron së brendshmi. Ndërsa shton se do të mundohet që të rrisë fëmijët e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç donte zemra e burrit të saj.
Në përmbyllje të dedikimit rrëqethës, bashkëshortja e të ndjerit shkruan se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të vinte dita që të shkruante një dedikim për humbjen e tij, duke shtuar se ai do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e saj dhe të fëmijëve.
‘'Më datën 19 korrik dhe frymën e fundit, engjëlli ynë… Do të jesh në zemrat tona gjithmonë!
Si na e copëtove shpirtin dhe zemrën. Është një dhimbje aq e fortë, sa të merr frymën dhe ta shkatërron shpirtin. Kjo dhimbje po na e dobëson zemrën çdo sekondë, çdo minutë e çdo ditë, që nga ai moment i zi kur morëm lajmin se ike nga kjo botë.
Kemi mall… shumë mall. Na mungon pafund. Duam të të përqafojmë, të të themi: “Erdhe? U lodhe?”, të pimë kafen siç e pinim çdo ditë bashkë, të flasim për të ardhmen tonë dhe të familjes sonë. Por ti ike… na këpute krahët, shpirtin dhe zemrën.
Me kë do të flas tani? Me kë do të bisedoj për të ardhmen e fëmijëve tanë? Si m’i le të gjitha mbi supe? Si do të jetojmë pa ty? Ti ishe shtylla e shtëpisë. Tek ti mbështeteshim për çdo gjë. Bashkë kemi kaluar shumë sakrifica. Pse nuk ia dole ta kalonim edhe këtë sakrificë kaq të rëndë, këtë tragjedi fatale?
Pusho i qetë tani, sepse çdo ditë të jetës tënde vetëm punoje që të na siguroje një jetë më të mirë dhe të na plotësoje kushtet. Unë dhe fëmijët do të jemi gjithmonë krenarë që të patëm për 16 vite pjesë të jetës sonë. Do të jemi krenarë për njeriun që ishe.
Kurrë nuk e prisja të shkruaja këtë post për ty, të shkruaja për humbjen tënde. Për ne do të jesh gjithmonë në zemrat tona. Sado vite të kalojnë, ty kurrë nuk do të të harrojmë.
Do t’i rris fëmijët ashtu siç doje ti. Pusho i qetë, njeriu i jetës sime, babai i fëmijëve të mi. Zoti të bëftë banor të Xhenetit.
Mungesa jote do të jetë gjithmonë me ne, në çdo rast të jetës sonë. Do të të duam përjetësisht’’ shkruan gruaja e Xhevdetit.
Siç kemi raportuar dhe më parë, aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e e së dielës në komunën e Pastoranos të Italisë i ka marrë jetën babait të dy fëmijëve të mitur shqiptarë.
Përmes një hulumtimi të bërë në rrjet, newsbomb.al mësoi se para një viti, në prillin e 2025, viktima Xhevdet Bakushi kishte humbur babanë e tij.
Humbja e Xhevdeti ka hapur një plagë të re të pashërueshme për familjen Bakushi, veçanërisht për djalin dhe vajzën e mitur të Xhevdetit dhe gruan e tij, raporton newsbomb.al.
Deri më tani nuk dihet akoma se kur do të zhvillohet ceremonia mortore e shqiptarit. Por pritet që në vijim të dalin detaje të reja.
Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe të afërmve për humbjen tragjike të njeriut të tyre të zemrës.

