Gjatë protestës së zhvilluar sot ka ndodhur incidente dhe tensione, ku kanë mbetur të lënduar protestues dhe efektivë të policisë.
Sipas informacioneve paraprake, në Spitalin e Traumës po marrin shërbim mjekësor dy efektivë policie dhe dy protestues.
Ndërkohë, në QSUT po trajtohen një efektiv policie dhe dy protestues. Mësohet se të gjithë të lënduarit që ndodhen në të dyja strukturat spitalore janë nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu lidhur me incidentet e ndodhura në protestë ka reaguar në rrjetet sociale ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ku shprehet se e dënon ashpër sulmet ndaj punonjësve të policisë,
Në postim ai ka theksuar se askush nuk mund të përdorë të drejtën kushtetuese për tubim dhe protestë paqësore për ta kthyer atë në dhunë ndaj forcave të rendit.
Gjithashtu, Lamallari është shprehur se efektivët e policisë, janë punonjës të shtetit, qytetarë dhe familjarë si çdo kush tjetër.
“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim.
Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë. Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit.
Shpreh mbështetjen time të plotë për çdo punonjës të Policisë së Shtetit që, me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje, vijon të përmbushë misionin e tij në mbrojtje të qytetarëve dhe të ligjit.
Shërim sa më të parë dy punonjësve të shtruar pranë Spitalit të Traumës si dhe kolegut të tyre të Komisariatit nr 5 të Policisë, i cili po merr ndihmën e nevojshme pranë QSUT,” shkruan Lamallari.
