Këtë të martë para Kuvendit janë shënuar tensione dhe incidente gjatë protestës, ku një efektiv i policisë ka mbetur i plagosur pasi u godit me gur në kokë nga protestuesit.
Fotoja e policit të gjakosur teksa shoqërohet nga kolegu i tij, është publikuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Në postimin e tij, Balla e dënon aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se kush ngre dorë ndaj policisë, ka ngritur dorë ndaj shtetit.
Po ashtu ai thekson se policia i ka shërbyer dhe i shërben atdheut, të cilët përballen çdo ditë me kriminelë dhe keqbërës.
“Ky punonjës policie i gjakosur nga gurët dhe dhuna e këtyre mbetjeve sociale dhe politike është apeli ulëritës për çdo shqiptar t’i dënojë dhe distancohet nga dhuna. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë në marrëdhënien, sjelljen dhe respektin ndaj punonjësve të policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj,” shkruan Balla.
Kliko këtu për të parë VIDOEN e momentit kur polici goditet me gurë në kokë
