Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj kanë zhvilluar ditën e sotme eventin Grant 2026 nga Innovation4Albania (I4A). Ku edhe janë shpallur startup-et fituese dhe inkubatorët/akseleratorët që do të mbështeten përmes Grant 2026, me një fond të dyfishuar prej 6 milionë eurosh për sipërmarrjen inovative.
Pas shpjegimit të procesit dhe të dyfishimit të fondit, kryeministri në fund të fjalës së tij pati edhe një këshillë për të gjithë të pranishmit. Për të cilët tha se kishte dëgjuar që bullizoheshin, pasi merrnin fonde nga qeveria për të ndërtuar këto projekte, Rama u sugjeroi atyre që të mos i lexojnë fare komentet, pasi sipas tij nuk janë ato që përcaktojnë vlerën apo punën e tyre.
"Në fund fare kam edhe një fjalë për një fenomen shumë të shëmtuar të kohëve të fundit që ka prekur edhe një pjesë të vajzave dhe djemve që kanë përfituar nga programi i startup-ve apo që mund të preki të tjerë sot këtu të pranishëm ose jo që do të jenë përfitues, që është bullizimi online i tyre me gjithfarë lloji sharjesh, fyerjesh, akuzash, nga burime që janë të padenja për vëmendjen tuaj.
Dhe duke qenë se në këtë fushë, unë jam njëshi për volumin e sharjeve, të akuzave, të shpifjeve, të sajesave, dua të ndaj me ju një eksperiencë shumë të thjeshtë. Mos zbrisni tek komentet. Kaq e thjeshtë është e gjitha! Komentet janë jo përfaqësuese për çfarë t'i bën, për si e bën, për kush je dhe jo vetëm në këtë kohë, që është një kohë shumë e ngarkuar për arsye se algoritmi ka kaluar në një fazë histerie, por në çdo kohë.
Dikur unë i përgjigjesha komentuesve intensivisht, i nisur nga ideja që meritojnë respekt dhe meritojnë vëmendje dhe meritojnë përgjigje, por e kuptova që ishte e gabuar dhe në vend se minimumi të merrja mbrapsht respektin për faktin që impenjohesha për t'i dhënë përgjigje, vetëm rrisja angazhimin edhe rrisja sasinë e baltës që më kthehej mbrapsht. Kështu që, qysh atëherë jo vetëm që nuk i ktheva më përgjigje, por nuk zbres më nën postim për të parë se çfarë thuhet. Kategorikisht! Po bëtë këtë, do të kuptoni që bota është ajo që ju shihni dhe ajo në të cilën ju jetoni dhe ju jeni ata që ju doni të jeni.", u shpreh kryeministri ndër të tjera.
Fjala e Edi Ramës:
Sot, ne jemi këtu pas një shtyrjeje të shpalljes së fituesve, si rezultat i faktit që patëm një numër aplikimesh shumë të lartë dhe nga ana tjetër nuk u ndjemë mirë që me shumën e vënë në dispozicion, 3 milionë euro, nuk ia dilnim dot të përgjigjeshim me mbështetjen e duhur për të gjithë ata që sipas komisionit të vlerësimit, meritonin mbështetje.
Kështu që e shtymë pak këtë takim për të reflektuar në aktin normativ të qershorit një ndryshim, i cili sigurisht është dhe rezultat i mundësisë, se mund edhe mos ta kishim këtë mundësi, por ekonomia në këta muaj ka reaguar shumë pozitivisht dhe si rezultat dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur përtej parashikimit, gjë që na bëri të angazhojmë edhe një fond ekstra për t'iu përgjigjur të gjithë aplikantëve që kanë sjellë propozime që meritojnë ta kenë një shans. Kështu që nga 3 milionë, ne e kaluam në 6 milionë euro.
Nga ana tjetër, ne sot jemi këtu me një optimizëm, besoj tërësisht të justifikuar për faktin se në një vlerësim të kohëve të fundit, sistemi ynë i startup-eve është klasifikuar i katërti për rritjen më të shpejtë në rang europian.
Patjetër që kjo rritje më e shpejtë është relative, sepse ne e kemi nisur nga një bazë shumë e ulët kur ndërmorëm këtë rrugëtim dhe e ndërmorëm këtë rrugëtim, faktikisht në vitin 2022, me një shifër më modeste, vetëm 2 milionë euro dhe mësuam bashkërisht se si ta çojmë përpara ngritjen e këtij ekosistemi. Sot jemi në 6 milionë.
Ambicia jonë është që deri në fund të kësaj dekade, pra në 2030-n, të arrijmë në një kapacitet prej 20 milionë eurosh për mbështetjen e startup-eve. Natyrisht që kjo do të varet shumë nga cilësia e aplikimeve, do të varet shumë nga dinamika e mëtejshme e zgjerimit të ekosistemit, por ajo që ne kemi mësuar së fundmi është që ne duhet të jemi gati, flas qeveria, për të financuar deri në një volum prej 20 milionë eurosh.
Nga ana tjetër ministrja preku çështjen e fondeve, flas e krijimit të fondeve. Ne kemi bërë një hap, që është një hap i hedhur për herë të parë nga një qeveri në Republikën e Shqipërisë duke marrë pjesë në financimin e projektit të ri të Mira Muratit, por besojmë shumë që të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe me startup-et tona të cilat kalojnë në një fazë të dytë dhe kanë nevojë për një mbështetje ekstra për t'u zhvilluar pasi konfirmohen në fazën embrionale.
Dhe këtë ne mund ta bëjmë pikërisht duke filluar me krijimin e fondeve të posaçme, që i kemi parashikuar në legjislacion tanimë dhe që mund të krijohen me bashkëpunimin mes qeverisë dhe burimeve të tjera financiare që vijnë nga sipërmarrja apo që vijnë nga institucione të tjera financiare, apo nga partnerë të vendit tonë.
Do ta nisim këtë proces dhe besoj që vitin e ardhshëm do të kemi në dispozicion edhe këtë instrument për ata ndër ju që do të kenë kaluar me sukses fazën embrionale dhe kanë nevojë për t'u financuar më tutje për të zhvilluar projektin.
Më thanë që djali që doli në video në fillim fare është një djalë që ka nisur pikërisht nga ky program, ka marrë një financim nga “Startup Albania’’ dhe sot ka 50.000 klientë në Shtetet e Bashkuara me një objektiv ambicioz për të arritur në gjysmë milioni klientë, për atë çka nisi si një ide, u zhvillua si një bërthamë e vogël e një startup -i dhe sot faktikisht është kthyer në një sipërmarrje të suksesshme. Dhe të tilla ka plot në këtë proces ku ne sot kemi dyfishin e fituesve të vitit të shkuar.
Është me rëndësi patjetër edhe shpërndarja gjeografike. Kemi praktikisht aplikime nga gjithë territori dhe kemi pjesën më të madhe të aplikimeve në Tiranë, por njëkohësisht pesë qarqeve të para i bashkohen edhe Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Korça. Dhe në Shkodër dhe në Vlorë kemi faktikisht rritjen më të lartë relative mes gjithë këtyre qarqeve.
Unë jam shumë i kënaqur për rritjen e ndjeshme të numrit të vajzave dhe të grave. Është shumë domethënëse që dhe në këtë fushë gratë dhe vajzat po bëhen një forcë dominante dhe më vjen shumë mirë që ne kemi kapacitetin për t'i mbështetur.
Ashtu si kundër më vjen mirë që kemi edhe aplikantë nga Diaspora dhe janë 15 startup-e nga diaspora të financuara deri sot nga programi “Startup Albania”. Ndërkohë që 38 mentorë, shumica janë shqiptarë profesionistë të Diasporës.
Ajo që vlen të përmendet është se sot që flasim, janë 42 produkte të këtij programi që janë lançuar në treg dhe funksionojnë si sipërmarrje, të cilat kanë një perspektivë fantastike.
Në fund fare kam edhe një fjalë për një fenomen shumë të shëmtuar të kohëve të fundit që ka prekur edhe një pjesë të vajzave dhe djemve që kanë përfituar nga programi i startup-ve apo që mund të preki të tjerë sot këtu të pranishëm ose jo që do të jenë përfitues, që është bullizimi online i tyre me gjithfarë lloji sharjesh, fyerjesh, akuzash, nga burime që janë të padenja për vëmendjen tuaj.
Dhe duke qenë se në këtë fushë, unë jam njëshi për volumin e sharjeve, të akuzave, të shpifjeve, të sajesave, dua të ndaj me ju një eksperiencë shumë të thjeshtë. Mos zbrisni tek komentet. Kaq e thjeshtë është e gjitha! Komentet janë jo përfaqësuese për çfarë t'i bën, për si e bën, për kush je dhe jo vetëm në këtë kohë, që është një kohë shumë e ngarkuar për arsye se algoritmi ka kaluar në një fazë histerie, por në çdo kohë.
Dikur unë i përgjigjesha komentuesve intensivisht, i nisur nga ideja që meritojnë respekt dhe meritojnë vëmendje dhe meritojnë përgjigje, por e kuptova që ishte e gabuar dhe në vend se minimumi të merrja mbrapsht respektin për faktin që impenjohesha për t'i dhënë përgjigje, vetëm rrisja angazhimin edhe rrisja sasinë e baltës që më kthehej mbrapsht. Kështu që, qysh atëherë jo vetëm që nuk i ktheva më përgjigje, por nuk zbres më nën postim për të parë se çfarë thuhet. Kategorikisht! Po bëtë këtë, do të kuptoni që bota është ajo që ju shihni dhe ajo në të cilën ju jetoni dhe ju jeni ata që ju doni të jeni.
Ndërkohë që nëse s'e bëni këtë, impakti psikologjik i bullizimit ka raste që bëhet shumë problem. Kështu që, injorojeni totalisht. Ju nuk jeni të shitur pse merrni fonde nga programi i startup-eve. Programi i startup-eve është një program, i cili financohet me taksat e të gjithë qytetarëve nga buxheti i shtetit. Juve nuk ju kërkohet absolutisht asgjë tjetër përveçse të zhvilloni idetë tuaja si aplikant fitues. Kështu që nuk keni asnjë arsye që të merrni seriozisht asgjë tjetër përveç realitetit që ju perceptoni dhe ideve dhe punës që ju bëni.
Realitetet e tjera që i krijojnë të tjerët për ju, injorojini! Sepse më tha Ariani që kanë pasur probleme disa me bullizimin. Injorojini! Kaq e thjeshtë është. Ato bëhen vetëm që ju të bini në kurth. Mos mendoni që gjithë dynjaja i lexon. Shkruhen vetëm që ju të bini në kurth. Injorojini! Dhe nuk po ju jap dhe këshillën tjetër sepse nuk më takon, që kthejeni gjithmonë kanalet e televizorit, te sporti dhe te filmat kur keni kohë të shihni televizor dhe pastaj do jetë edhe më e bukur jeta dhe do jeni dhe më të fokusuar te puna. Po kjo është temë tjetër, aq më tepër që unë besoj që ju nuk shihni as televizor edhe kjo do ishte gjëja më e mirë.
Dhe kemi një problem që lidhet me mbi ngarkesën e Piramidës për “co-working space”. Kështu që do duhet që ne të marrim masa dhe do marrim masa që më herët se vonë, të vëmë në dispozicion edhe hapësira të tjera për “co-working” për të gjithë ata që janë në një fazë që nuk ia lejojnë dot vetes që të bëjnë shpenzime, që nuk i kanë faktikisht, të mundura për të marrë me qira hapësira për punën e tyre.
Këto ishit ato që unë doja të ndaja me ju. Më e mira është e gjitha përpara. Dyfishimi i fondit këtë vit është një trend që ne duam ta mbajmë, gjithmonë duke pasur në konsideratë cilësinë e aplikimeve. Këtë vit cilësia e aplikimeve ishte shumë sfiduese për fondin që kishim në dispozicion. Nëse do të jetë e tillë dhe vitin e ardhshëm përsëri ne do ta rrisim, por vitin e ardhshëm do ta fillojmë me 6 milion dhe pastaj po qe se do vijnë 2000 aplikime, do shkojmë më lart për tju përgjigjur të gjithë kërkesave.
“Don't worry, be happy”! Suksese!
