Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i pari që doli nga ambientet e Kuvendit, ndërsa menjëherë pas tij lëvizi edhe automjeti i kreut të Kuvendit Niko Peleshin.
Sapo automjetet e zyrtarëve socialistë tentuan të largoheshin nga Kuvendi, protestuesit u rreshtuan përpara tyre, duke krijuar një gardh dhe duke bllokuar kalimin.
Për shkak të bllokimit, automjetet e Ballës dhe Peleshit u detyruan të tërhiqeshin dhe të ktheheshin sërish brenda perimetrit të Kuvendit. Edhe efektivët e eskortës nuk arritën të hapnin rrugën, duke u detyruar të zmbrapsen së bashku me automjetet. Ndërkohë që burime për mediat bëjnë me dije se automjeti i Peleshit u përdor thjesht si një “karrem” nga Garda për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe se kreu i Kuvendit nuk ndodhej në mjet.
Sakaq Balla u detyrua që të qëndronte brenda perimetrit të Kuvendit, ndërsa ministrat dhe deputetët socialistët zgjodhën një rrugë tjetër, atë nga Akademia e Shkencave, për të lënë ambientet e Parlamentit dhe për të mos u përplasur me protestuesit.
