Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar përpara Parlamentit, duke dënuar ashpër aktet e dhunës ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, deputetëve dhe institucioneve publike.
Përmes një reagimi publik, Peleshi theksoi se e drejta për të protestuar është një nga shtyllat e demokracisë, por ajo duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit. Sipas tij, përdorimi i dhunës nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë dhe dëmton jo vetëm sigurinë e qytetarëve, por edhe vetë vlerat demokratike.
"Asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, deputetëve të Kuvendit apo institucioneve publike. Shqipëria ndërtohet mbi dialogun, respektin për ligjin dhe institucionet, jo mbi përplasjen.
E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore. Kur protesta shndërrohet në dhunë ndaj njerëzve, cenon jo vetëm sigurinë e tyre, por edhe vetë vlerat mbi të cilat ndërtohet demokracia.
Solidaritet i plotë me efektivët e Policisë së Shtetit, të plagosur gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim sa më të shpejtë. Të papranueshme sulmet ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Asgjë e mirë nuk ndërtohet prej dhunës dhe kaosit", shkruan Peleshi.
