Mes kaosit, përplasjeve dhe akteve të dhunës që kanë shoqëruar protestën, një video shqetësuese ka alarmuar edhe zv.kryeministren Albana Koçiu. Ashtu siç kemi raportuar, në këtë protestë e cila po vijon prej 32 ditësh, kanë marrë pjesë jo vetëm të rritur, por edhe fëmijë. Të shoqëruar nga prindërit e tyre, të vegjlit janë parë duke brohoritur “Rama në burg, Berisha në burg”.
Ndërsa në videon e publikuar së fundmi nga Koçiu të vegjlit shfaqen duke goditur një pankartë ku është i printuar portreti i kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në Facebook, zv.kryeministrja e cilëson këtë si një nga pamjet më shqetësuese të ditëve të fundit, duke theksuar se fëmijët nuk duhet të përfshihen në përplasje politike apo të përdoren për të ushqyer konfliktin e të rriturve.
“Nga të gjitha pamjet që kanë qarkulluar këto kohë, kjo mund të jetë pamja më shqetësuese. Fëmijët duhet të mbajnë në duar libra, lapsa dhe lodra që u zhvillojnë mendjen, jo të përdoren si mish për top për të ushqyer agjendat e konfliktit të disa të rriturve të paudhë.
Dhuna, gjuha e urrejtjes dhe politika e rrugës nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë lojëra për fëmijët. Keqpërdorimi i moshës më të pafajshme për të projektuar frustrime politike është një vijë e kuqe që nuk duhet të kalohet nga askush.
Kjo nuk ka të bëjë as me politikën, as me protestën, por me përgjegjësinë që kemi ndaj brezit të ri, për t’i dhënë një edukim të shëndetshëm, të mbështetur mbi vlerat dhe larg frymës së konfliktit, sepse vetëm kështu mund të rriten si qytetarë të një Shqipërie Europiane”, shkruan Koçiu, teksa më tej përmes një tjetër postimi ka dënuar dhunën e ushtruar ditën e sotme ndaj forcave të Policisë së Shtetit nga qytetarë të cilët prej mëngjesit ishin mbledhur jashtë ambienteve të Kuvendit.
