Përpos përplasjeve me forcat e Rendit, gjatë protestës së zhvilluar jashtë Kuvendit të Shqipërisë janë regjistruar edhe tensione mes vetë protestuesve.
Një moment i tillë u shënua gjatë zhvillimit të tubimit, ku sipas burimeve nga terreni një protestuese u përfshi në një debat me një tjetër qytetar. Situata u tensionua, ndërsa ky i fundit iu drejtua me fjalor ofendues dhe aspak të përshtatshëm.
Pas incidentit, në vendngjarje mbërriti një autoambulancë, e cila i dha ndihmën e parë protestueses dhe më pas e transportoi për shkak se nuk po ndihej mirë.
Ndërkohë, në protestë mbërriti edhe Adriatik Lapaj, prania e të cilit u shoqërua me një tjetër moment tensioni. Mes tij dhe disa protestuesve pati një përplasje verbale, pasi një pjesë e këtyre të fundit i kërkuan të largohet me qëllimin që protesta e tyre të mos politizohej.
Nga ana tjetër, qytetarë të tjerë të pranishëm ndërhynë duke bërë thirrje për qetësi dhe përqendrim te kauza e protestës, duke kërkuar që të shmangeshin debatet dhe përçarjet mes protestuesve.
