Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bicaj, në Kukës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen ka dalë nga rruga, duke përfunduar mbi çatinë e një banese.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët. Ata janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Kukësit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, për shkak të plagëve të marra.
Burime bëjnë me dije se të tre të plagosurit ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 01:40, në aksin rrugor “Kukës-Bicaj”, shtetasi T. C., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin e një banese.
Nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjeret, shtetaset M. C. dhe Xh. A., të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
