Episodin e sotëm të podkastit të tij “Flasim” Edi Rama e hapi me librin që së fundmi është vënë në qendër të vëmendjes nga mnjë numër i lartë protestuesish dhe aktivistësh, “Albanian Files”. Në lidhje me këtë Rama theksoi se libri është tërësisht i pavarur dhe përmbledh kontributet e studiove arkitekturore që punojnë prej dy dekadash në Shqipëri.
Ndërsa shtoi se teksti është keqinterpretuar dhe përdoret si pjesë e një “inkuizicioni” ndaj botimit.
Sipas kreut të qeverisë, letra nuk është një thirrje politike, por një tekst me natyrë satirike dhe autoironike, në përputhje me stilin e njohur të autorit.
Po ashtu Rama shtoi se “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur, ku secili arkitekt ka pasur liri të plotë për të zgjedhur tekstet dhe materialet e tij, pa ndërhyrje apo censurë.
"Këtu në Shqipëri, në kryeqytet dhe jo vetëm, ne kemi universitetin më të madh dhe më prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban, ku të gjithë profesionistët e rinj shqiptarë janë të atashuar pranë këtyre studiove dhe punojnë së bashku, mësojnë prej tyre dhe zhvillojnë talentin, dijen; rrisin, pa diskutim, ekspertizën e tyre, falë këtij bashkëpunimi.
Tani, "The Albanian Files" është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni, se s’mund ta quaj dot intelektual, se nuk është intelektual, por nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje" tha Rama në fjalën e tij.
Më tej kryeministri komunikoi për të dytën herë projektin e ri Rilindja 2.0 për të cilin tha se do të diskutohet me më shumë detaje në fillimin e muajit korrik. Një projekt që synon të mbështesë zhvillimin e transportit publik të gjelbër.
“Në korrik do të prezantojmë dhe programin lindja 2.0 që shkon përtej investimeve që kemi bërë deri më sot. Një program që do të mbështesë zhvillimin e transportit publik të gjelbër.
Nuk është një program vetëm i mbështetur nga një fond investimesh por do të stimulojë marrëdhënien aktive të pushtetit vendor me komunitetin, në harmoni me komunitetin. Në këtë frymë një rilindje urbane 2.0 është një hap tjetër drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE” u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.
Ashtu siç ka raportuar dhe më parë newsbomb.al, në mbledhjen mbajtur para pak ditësh me kryebashkiakët e juglindjes, Edi Rama zbuloi projektin që mban emrin emrin “Program i Qeverisjes Vendore Rilindja Urbane 2.0”, për të cilin tha se do të sqarohet më tej dhe në ditët e para të korrikut.
Fjala e Edi Ramës:
Ky libër quhet "The Albanian Files". Është një ndër botimet më të rëndësishme që kanë dalë në vitet e fundit në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë dhe në botë.
Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë dhe shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh së bashku, në gjithë faqet e librit, Shqipëria.
Tani nuk dua të flas për librin, por dua të flas për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin, një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është pikërisht dega inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza natyrisht, por jo sepse nuk përndjek, por sepse përndjek në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i ka ndodhur dhe që i janë qasur Shqipërisë këtyre 30 viteve, po edhe historisë së Shqipërisë.
Njerëz të cilët, thashë, e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe që janë mbledhur, pavarësisht nga njëri-tjetri, në Shqipëri, siç u mblodhën dikur në Neë York, në vitet ’30, duke dhënë kontribute, të cilat, ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat dhe djemtë e këtij vendi, arkitektë, arkitekte, urbanistë, urbaniste, nesër të nxjerrin nga gjiri i tyre ndonjë emër apo më shumë se një emër shqiptari apo shqiptareje që do të shkëlqejë në skenën e botës.
Sepse, ndërkohë, këtu në Shqipëri, në kryeqytet dhe jo vetëm, ne kemi universitetin më të madh dhe më prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban, ku të gjithë profesionistët e rinj shqiptarë janë të atashuar pranë këtyre studiove dhe punojnë së bashku, mësojnë prej tyre dhe zhvillojnë talentin, dijen; rrisin, pa diskutim, ekspertizën e tyre, falë këtij bashkëpunimi.
Tani, "The Albanian Files" është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni, se s’mund ta quaj dot intelektual, se nuk është intelektual, por nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje.
Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës, një tekst parathënës që është, patjetër, krenari që unë, si Kryeministër i Shqipërisë, të isha i ftuar ta shkruaja dhe që, së bashku me gjithë këtë "armatë" arkitektësh dhe profesionistësh të jashtëzakonshëm, të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës, ndër të tjera; të cilët thirren për të bërë konferenca mbi arkitekturën për të rejat, për të rinjtë, për të interesuarit dhe paguhen sa qimet e kokës nëpër vende të tjera, ka ardhur si një projekt editorial tërësisht i pavarur.
Është konceptuar, është kuruar nga Anneke Abhelakh dhe, siç thashë, janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Është diçka fenomenale.
Patjetër që ka gjëra të diskutueshme, patjetër që ka gjëra të debatueshme, të kritikueshme, çfarë të doni, por që t’i qepesh një botimi të tillë, njësoj si të ishte koha e Revolucionit Kulturor Kinez dhe, mbi të gjitha, pastaj të kapesh me një tekst, i cili është një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson njërën prej studiove më të mëdha në historinë e arkitekturës bashkëkohore, studion "OMA", të themeluar dhe të udhëhequr nga legjendari Rem Koolhaas, ky është kulmi.
E para, që ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, e cila natyrisht është një letër që mua s’më ka ardhur, se s’kishte as pse të më vinte, është shënim në dosjen e arkitektit, ku më thotë: "Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën..." e të tjerë, e të tjerë.
Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar.
Në korrik do të prezantojmë dhe programin lindja 2.0 që shkon përtej investimeve që kemi bërë deri më sot. Një program që do të mbështesë zhvillimin e transportit publik të gjelbër. Nuk është një program vetëm i mbështetur nga një fond investimesh por do të stimulojë marrëdhënien aktive të pushtetit vendor me komunitetin, në harmoni me komunitetin. Në këtë frymë një rilindje urbane 2.0 është një hap tjetër drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Partneriteti synon që të kemi një operator të ri në treg të ndërtuar nga një nga kompanitë më të rëndësishme në botë që të krijojë kapacitet tregtar në sistemin e brendshëm dhe atë rajonal. Është një investim afatgjatë që do të sjellë më tepër siguri por dhe dituri e ekspertizë të domosdoshme.
