Tashmë brenda këtij muaji, udhëtarët të cilët kalojnë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do t’i kryejnë procedurat kufitare në një sportel të vetëm. Marrëveshja mësohet se është nënshkruar ditën e premte nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe homologu i tij maqedonas, Pançe Toshkovski.
Ky model i ri i kontrollit kufitar, i cili mbart emrin “One Stop-One Shop”, do të zbatohet fillimisht në pikën kufitare të Qafë Thanës, kurse prej muajit korrik edhe në pikën kufitare të Bllatës.
Kontrolli i pasaportave në një sportel pritet të thjeshtojë procedurat për qytetarët dhe bizneset si edhe të përshpejtojë lëvizjen, sidomos gjatë sezonit turistik, sipas ministrave.
“Këtu jam sot bashkë me homologun tim maqedonas, Pançe Toshkovski, për të nënshkruar një marrëveshje që, në fakt, i bën si të papërfillshëm kufijtë midis dy vendeve tona. Por matet me sa pak pengesë krijojmë në kufijtë tanë për qytetarët mes dy vendeve. Kufijtë sot nuk duhen parë si mure ndarëse midis dy vendeve, ato duhet të jenë ura që lidhin dhe krijojnë sinergjinë e duhur për zhvillimin ekonomik. Nuk po i dobësojmë kufijtë tanë, përkundrazi po i bëjmë më të fortë e më të sigurt. Më të sigurt për shtetet tona dhe më të lehtë për qytetarët. Kjo marrëveshje, që ndërtohet mbi parimin “Një Ndalesë”, nënkupton më pak procedura, më pak pritje, më shumë efikasitet dhe më shumë siguri. Kjo nënkupton më shumë lehtësi për qytetarët dhe më shumë kohë për ta, më shumë mundësi për biznesin dhe më shumë mundësi zhvillimi për dy ekonomitë tona”, tha Lamallari.
