Policia e Tiranës ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin që disponon Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në lidhje me kontrollet e kryera ndaj kompanisë private SORI-Al, e cila furnizonte me ushqim Akademinë e Sigurisë.
Veprimet janë kryer nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, i cili ka marrë në administrim dosjet dhe procesverbalet e kontrolleve të ushtruara ndaj këtij subjekti nga muaji janar e deri më sot. Hetuesit po verifikojnë nëse inspektimet janë kryer në përputhje me procedurat ligjore, apo nëse ka pasur shkelje që mund të kenë ndikuar në ngjarje.
Paralelisht, grupi hetimor është në pritje të rezultateve të analizave laboratorike, në kuadër të hetimeve për helmimin e 64 studentëve, të cilat pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të helmimit të tyre. Të rinjtë u dërguan në spital pasi shfaqën simptoma si dhimbje barku, të vjella, temperaturë dhe shqetësime të tjera shëndetësore
Burime bëjnë me dije se në varësi të provave që do të administrohen dhe përfundimeve të analizave laboratorike, Prokuroria nuk përjashton mundësinë e lëshimit të urdhër-arresteve ndaj personave që do të rezultojnë përgjegjës për këtë ngjarje.
